Partizani arriti objektivat sezonal, duke siguruar një vend për në Europë. Sfida e fundit e kampionatit përfundoi 3-4, takim ky i luajtur në Laç. Pas 90 minutëshit, trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti ka folur për edicionin futbollistik.

 

“Ndeshja– Të dy skuadrat ishin të motivuara, pasi Laçi ka një ekip mjaft të mirë dhe të imponon respekt, sepse ka bërë një kampionat shumë të mirë. Duhet të tregohesh profesionist dhe të jesh kërkues, pasi vetë fanella e Partizanit ta imponon diçka të tillë. Provova edhe 2-3 elementë të rinj, por kanë ende nevojë për shumë punë, për të qenë gati për Superioren.

 

E ardhmja? – Sa i përket elementit të ri, duhet të kuptojmë që kemi 3-4 të tillë, të cilët kanë cilësi të mira, pro duhet të punojnë shumë. Duke i pasur parasysh për vitin tjetër, duhet shumë punë, pasi Partizani do të luftojë për titullin. Klubi punon fort në mënyrë që të ketë edhe prurje nga akademia, jo vetëm nga merkatoja. Tani që po përfundon edhe ndërtimi i kompleksit, do të kthejmë vëmendjen edhe nga akademia, ku synojmë të kemi shumë prurje.

 

Sezoni– Do ta vlerësoja me dy tablo, pasi ka ndryshuar shumë në përbërje dhe në një tranzicion kaq të madh, priten edhe rezultate të tilla. Megjithatë duke pasur parasysh nga u rinisëm në janar, arritëm atë që askush nuk e priste. Vetë statistikat e tregojnë mënyrën si e kemi interpretuar pjesën e dytë të kampionatit. Shpresojmë që të rrimë me këmbë në tokë dhe të punojmë mirë për t’u riorganizuar që të mos kemi më luhatje” – tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb