Pas reagimeve të shumta të ardhura nga ndërkombëtarët por edhe nga politikanë të Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i Presidentes Vjosa Osmani në lidhje me situatën e tensionuar sot në veri.
Osmani u shpreh se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm ndaj mbrohet me çdo mjet të përcaktuar në Kushtetutë.

Në reagimin e saj në rrjetet sociale, kryetarja e shtetit të Kosovës shton se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të presidentit serb Aleksandër Vuçiç janë legjitime.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës)
Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë.
Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!”, shkruan Osmani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb