TIRANË

Deputeti i opozitës së re parlamentare Kujtim Gjuzi është takuar sot me një pjesë të naftëtarëve në Ballsh duke i dhënë mbështetjen e tij për kërkesat e tyre.
Gjuzi madje ka thënë se nuk beson as tek COVID dhe se do të shkojë të takojë dhe kreun e sindikatës i cili është infektuar.

Ai ka premtuar se nga nesër ‘do ndezë’ parlamentin, për çështjen e tyre që naftëtarët të marrin paratë që iu takojnë.

“Të vij unë këtu dhe të më thotë tjetri që ç’është kjo rrugë, kur këtu është bërë nami duke u blerë dhe shitur naftë, kjo është skandaloze, skandaloze. Të gjithë ata njerëz që kanë vjedhur uzinën këtu, një ditë drejtësia vonon por nuk harron kurrë.
Ju keni një njeri këtu që i urojmë shërim të shpejtë kryetarit të grevës që të vijë këtu. Do të shkoj dhe tek ai, ta vizitoj atje jo të jetë ai me 200 temperaturën, të jetë si të jetë, le të ma ngjisë mua COVID-in. Le që COVID nuk ka se kjo është rrenë ndërkombëtare, është mashtrim, për të na thënë ne jo s’duhet të punojë uzina këtu, atje, jo s’duhet të punojë Kina atje, kjo është një gjë tjetër por nuk ju duhet për momentin. Juve ju duhet për momentin, garancia që do ta ndez parlamentin, nga nesër do të filloj në orën 10:00 e deri në fund. O t’ju japin paret hajdutët që i kanë marrë o s’ka”, deklaroi Gjuzi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb