Kryetarja e “Lëvizjes për Ndryshim” Jozefina Topalli, e ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se do ta ndihmojë Partinë Demokratike, duke u bërë palë me atë demokratë, që kanë humbur vendet e punës, pasi PD-ja doli nga parlamenti.

“Mes meje dhe Lulzim Bashës ka pasur gjithmonë diferenca ideologjike. Nuk mund të humbësh dy herë në luftë. Djegia e mandateve ishte gabim, sepse nuk ka ndodhur askund një ngjarje e tillë. Nuk ka tradhti më të madhe sesa djegia e mandateve, sepse ia dhuron të gjithë pushtetin kundërshtarit tënd më të madh, dua t’ju dal për zot atyre njerëzve që janë tradhtuar në kauzat e tyre.

Nuk identifikoj udhëheqjen e partisë me Partinë Demokratike. Unë do ta ndihmoj PD-në. E bëj këtë gjë që demokratët e vërtetë të përfaqësohen realisht. Njerëzit po ikin dy herë më shumë sepse nuk gjejnë shpresë as tek maxhoranca as tek opozita. Jam për qeverisjen e PD-së, por pa Bashën. Partia Demokratike ka sot më pak vota se në vitin 1997. Nuk do bëjmë koalicion me asnjë parti”, tha Topalli.

Jozefina Topalli u shpreh se Shqipëria sot është në kushte mizerable.

“Shqipëria është një vend mizerabël. Emigracioni po njeh rritje shumë të madhe, po ndërtohen pallate dhe po jetohet nga disa në mënyrë përrallore dhe nuk mund të vazhdohet më kështu. Nuk ka pluralizëm real”, deklaroi Topalli.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: