Berisha ka kërkuar mbështetje për kandidatin e tij për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçin, ndërsa tha se programi i tij do ta transformojë kryeqytetin në të gjitha aspektet.

Berisha tha se Këlliçi është kandidati i duhur për Tiranën, ndërsa tha se programi i tij është për t’u vlerësuar.

“Ne vendosëm sistemin e primareve dhe sot kandidojmë me 61 kandidatë, me në krye Belind Këlliçin, kandidatin tonë të shkëlqyer për Bashkinë e Tiranës.

Ata nuk janë më kandidatët e kryetarit dhe kryesisë, por janë kandidatët e votës së lirë dhe kjo ka shndërruar një ndryshim shumë të madh në qëndrimin tonë dhe qëndrimin e shoqërisë shqiptare ndaj nesh.

Ju falënderoj që keni ardhur të mbështesni Belind Këlliçin. Tirana ka nevojë jetike për ndryshim. Unë do u jap vetëm 2-3 tregues të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare.

Sot Tirana është në 10 qytetet më të ndotura të planetit. Sot Tirana është ndër 10 vendet me shërbimin shëndetësor më të shkatërruar në planet.

Tirana i ka sot këto sepse ka një falls-kryebashkiak. Nëse do bënit, vizatonit, përshkruanit kryebashkiakun aktual që do dorëzojë së shpejti detyrën, ai është prototipi i një personazhi fake.

Por ai është edhe një vjedhës dhe hajdut i pamëshirë i qytetarëve të Tiranës.

Në çdo vend europian ka manuale ndërtimi që thonë se kjo ndërtesë kushton kaq, shkollat kushtojnë 600-700 mijë euro… ky ndërton shkolla me çmim 8 herë më të lartë sepse përvetëson paratë. 56 mln euro kanë përfunduar në kontot offshore në kontot e tyre nga djegësit.

Thotë se po punon shumë në x lagje, ndërkohë që ndodhet jashtë vendit. Mbjellë dhe shkul dhe mbjell prapë një pemë 100 herë. Këlliçi është një i ri i mirëshkolluar, me dashuri për Tiranën, dhe e falenderoj për premtimin që bëri para jush, për transportin falas.

Premtim që do ndikojë në buxhetin e të gjitha familjeve, si dhe në shëndetin e tyre, sepse thamë që Tirana është qyteti më i ndotur në botë. Kjo do pakësojë nevojën e atyre që do kenë nevojë të shkojnë me makinë në punë.

Kam besim se me programin e tij do sjellë transformim në të gjitha aspektet dhe qyteti do vendoset në shinat e një qyteti normal dhe me perspektivë”, u shpreh Berisha.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb