Në rrëfimin e tij të gjatë Rudi Vata nuk mund të mos komentonte situatën në Kombëtare, si një ish-kapiten i saj për shumë vite. Mbrojtësi, i cili ka veshur fanellën kuqezi në 60 ndeshje, teksa ka shënuar edhe 5 gola, mendon se nga Kombëtarja do të largohen disa lojtarë kosovarë. “Nuk e shikoj të shëndetshme për futbollin shqiptar këtë situatë, kur disa prej lojtarësh kosovarë që janë pjesë e Kombëtares sonë do të largohen. Tashmë jemi në një moment ku ka disa enigma. Po flitet shumë për trajnerin, por jo vetëm. Në gjykimin tim, disa prej lojtarësh, të cilët kanë qenë deri më tani pjesë e Shqipërisë, do të zgjedhin Kosovën. Nuk mendoj se do të jetë vetëm një lojtar. Këtu futen të pakënaqurit, por ka edhe nga ata futbollistë që bëjnë llogari.

Gjithsesi, kjo situatë ka për të krijuar një hendek në ekipin Kombëtar, pasi nëse prishet disi baza e grupit, do të jetë e vështirë për ta ndërtuar prapë. Nëse ikën De Biazi, do të jetë akoma edhe më problem. Por, ky është futbolli dhe duhet të presim e të shohim. Jam i sigurt që do të ketë firo dhe shoh që kanë nisur të bëhen llogaritë. Politika e Federatës së Kosovës do të jetë për të ndërtuar një skuadër më të fortë se Shqipëria dhe për këtë kam bindje. Fadil Vokrri ka një emër të madh në futboll dhe tani si president i FFK-së, ka për të luajtur të gjithë gurët për të marrë lojtarët e Shqipërisë dhe Zvicrës. Mirëpo, të njëjtën gjë do të bëj edhe Armand Duka. Kosova i ka të gjitha mundësitë për të bërë një Kombëtare të fortë, sepse ka lojtarë shumë cilësorë në disa vende”, ka thënë fillimisht Vata

Eliminatoret
I pyetur nëse kjo çështje mund të ketë një ndikim negativ në prag të eliminatoreve të Botërorit, ish-kapiteni kuqezi e lidh gjithçka me qëndrimin e trajnerit De Biazi. “Varet si do të menaxhohet situata, por besoj se nëse vazhdon të jetë trajner De Biazi edhe në eliminatoret e Botërorit, atëherë skuadra do ta ketë edhe më të lehtë. Me De Biazin trajner mund të mbyllen gjërat më shpejt, ndërsa me një tjetër në pankinë, do të ketë probleme. Ardhja e një stafi të ri do të krijonte shumë situata enigmatike. Megjithatë, do të kemi një Kombëtare ndryshe, kjo është e sigurt. Cana do të largohet dhe ai që ka për ta zëvendësuar duhet të jetë në imazhin e Lorikut. Normalisht nëse ikin edhe dy-tre të tjerë do të ketë një situatë tjetër”, është shprehur ish-kapiteni i kuqezinjve.

Sugjeron Trashin
Vata i sugjeron De Biazit, mesfushorin e Partizanit, Lorenc Trashi. “Futbolli është i bukur edhe kur ka ndryshime, kështu që nëse do të jetë një trajner tjetër, unë, për shembull, do të kisha dëshirë të shikoja në Kombëtare ndonjë lojtar si Trashi i Partizanit. Nuk mendoj që ky emër ka më pak vlera se një lojtar si Lenjani. Ndoshta tani mund të mos jetë në nivelet e tij, por nuk është se nuk mundet për t’u bërë si ai. Janë dy-tre lojtarë të kampionatit shqiptar që bëjnë kilometra të tëra në një ndeshje, kështu që mund t’u jepet shansi në Kombëtare”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: