Sa herë shkoj në varreza, ku prehen njerëz të mi të dashur, përveçse lotoj, ndiej mall e dhimbje që nuk i kam më pranë, shumë mendime e ndjenja më përshkojnë mendjen e zemrën.

Në qetësi pastroj varrin me dashuri, vendos lule apo një cigare, qëndroj pranë tyre dhe me pëshpërima iu them atë që do dëshiroja të dinin. Rri edhe pa folur minuta të tëra dhe më duket sikur komunikoj me energji me ta…

Pasi ledhatoj fotot e të dashurve të mi të ndjerë largohem, dhe duke ecur shoh dhjetëra varre ku prehen njerëz të tjerë, të njohur e të panjohur. Çdo foto e tyre më fut në mendime.

Dikur kanë jetuar, kanë pasur një histori, dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Dikush ka jetuar gjatë, dikush tjetër për fat të keq ka ikur i ri pa e shijuar jetën në këtë botë, por me shpresën e madhe që shpirti jeton në botën tjetër… Dikush prehet në një varr për të cilin duket se kujdesen, te tjerë e kane varrin “të harruar”. E kjo të jep një dhimbje tjetër.

Dal prej varrezës dhe mendjen e shpirtin ma kaplon një lloj meditimi, me ngërthen ai mendimi se të gjithë do të shkojmë një ditë aty dhe ajo që ka rëndësi është ta jetojmë jetën paqësisht, me dashuri e dhimbsuri, sepse asgjë, askush, nuk do të marrë me vete. As fama as paratë s’kanë rëndësi në varreza!

Nuk po them ndonjë gjë të pathënë; jam e bindur se shumë bëjnë e mendojnë si unë, por këtë reflektim e kisha të nevojshëm teksa pashë dhe u shokova nga një video e turpshme e dy vajzave, e regjistruar ne varreza.

Nuk njoh dhe as kam dëgjuar që në ndonjë kulture të botës dikush të qeshë, të tallet e të tundet mes të vdekurve.

Respekti për të vdekurin dhe një lloj ndjenje që s’dua ta quaj frikë, me duket sikur është në ADN e njeriut (natyrisht historia flet edhe për përjashtime). Madje edhe kafshët e kuptojnë vdekjen dhe qajnë e qëndrojnë pa lëvizur pranë të zotit të tyre të vdekur…

Videoja vërtet më tronditi dhe më futi tmerrin për mungesën e ndjeshmërisë dhe empatisë që kanë disa njerëz. Mund të mos të të dhembë shpirti, por së paku tregohu njeri.

S’mbaj mend të me ketë mësuar kush si duhet te sillemi ne varreza, por thjesht kam parë dhe ndjerë. Nuk e di ç’kanë parë ato vajza, nuk e di çfarë ndjenjash ushqejnë në shpirt, nuk e dija që ka edhe njerëz të tillë dhe nuk e di nëse ka edhe të tjerë si ato.

Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti qe protagonist është një njeri i medias dhe qe me sytë të errur nga dëshira për klikime e publikon videon e neveritshme. Uroj e besoj që të mos ketë marrë pëlqime, se në të kundërt, kjo do të ishte tatëpjeta jonë e fundit.

Me këtë lloj rinie që po çmendet nga kotësia e Instagramit dhe Tik Tok-ut, me duket se ka marrë “ferra uratën” dhe s’ka ligjësi e zakon që të na fusë në rrugë të mbarë. Ndoshta vetëm vdekja!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: