Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka vijuar sot fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit, në Kavajë.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se Kavaja ka marrë vendimin dhe se më 14 maj do të firmosë për ndryshimin.

Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka vjedhur gjatë të gjitha viteve në pushtet shqiptarët, ndërkohë që justifikimi i tij i vetëm për gjendjen e vështirë ekonomike ku ndodhen qytetarët, është se në Shqipëri askush nuk vdes nga uria.

“Sjell këtu mesazhin e fitores së thellë. Kavaja është djepi i ndryshimit. Kavaja, qyteti i vlerave dhe idealeve, nuk mashtrohet. Ka marrë vendimin përfundimtar të votojë ndryshimin e të shpëtojë qytetin nga kthetrat e mafies më të rrezikshme që ka njohur vendi në 30 vite.

Kavaja ishte e para që u çlirua me gjakun e Josif Budës në ’91. Kavaja do qëndroje në krye të fitores edhe ndaj këtij monizmi të ri.

Askush nuk ka plaçkitur më shumë shqiptarët se regjimi i Edi Ramës.

Kandidatët e tij fshihen si mua nga qytetarët e nuk ballafaqohen dot me ta, sepse programi i tyre nuk është për qytetarët por për Ramën dhe xhepat e tyre.
Rama nuk del dot para jush sepse ka 8 vite, e nisi karrierën pasi u akuzua nga OSBE se u vodhi shqiptarëve 200 mln euro.

Vijoi i pangopur të firmosë 420 mln euro djegësa që nuk ekzistojnë kund. Vijoi të rrënojë Portin e Durrësit, të udhëtojë me avion në dispozicion me dhomë gjumi.

Tani del para jush jo me gjuhë shtetari, por me gjuhën e një halabaku, me një fjalor rruge, duke dëshmuar se nuk ka respekt për qytetarin, për familjet e tyre, do me çdo kusht të zhurmojë vjedhjet e tmerrshme që ka bërë këto 8 vite.

Do të kalojë me tallava e gaz tiraninë e varfërisë që u ka dhënë shqiptarëve.
Justifikimi i tij është se askush nuk vdes nga uria në vend, Duhet të mbledhim kufoma të të vdekurve nga uria që Rama të kujtohet se qytetarët janë në halle të mëdha.

Edi Ramën e pret miku i tij i nderuar, tradhtari i kombit amerikan McGonigal, do shkojë në burg me të. Ka dhjetëra çështje të tjera në Shqipëri, është kryekrimineli i votave, kryehajduti i vendit, e ardhja e tij është ajo që meriton”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb