Një 25-vjeçar është dënuar nga Gjykata e Tiranës me gjashtë muaj burgim, pasi përmes mashtrimit i ka marrë të afërmit të tij një sasi të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë. Bëhet fjalë për një histori të pazakontë të ndodhur vitin e shkuar në Tiranë, ndërsa vendimi është marrë së fundmi.

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që disponohet nga “Panorama”, viktima K.H. ka kallëzuar se përmes mashtrimit, djali i dajës së bashkëshortes E.M. i ka marrë një shumë prej 25 mijë lekësh të reja dhe sende me vlerë 60 mijë lekësh me pretendimin se donte të largonte “magjitë në shtëpinë e tij”.

Historia nis në fillim të janarit 2017, kur K.H. është telefonuar nga E.M., i cili i ka kërkuar 40 mijë lekë pasi i nevojiteshin për vajzën e shtruar në QSUT. K.H ka shkuar vetë atje dhe i ka dhënë shumën prej 40 mijë lekësh të pandehurit, i cili i ka premtuar se do t’ia kthente brenda shkurtit.

Më tej, ai i ka thënë viktimës se kishte probleme edhe me bashkëshorten, që kishte dështuar dhe se për këtë problem kishte folur me një hoxhë, i cili luftonte magjitë. Për këtë ai i ka kërkuar viktimës disa sende me vlerë që do t’i përdorte si “nishane” për të larguar magjitë.

Disa ditë më vonë, viktima është telefonuar nga një person, i cili është prezantuar si hoxha dhe i ka kërkuar t’i dërgojë sendet me vlerë, që do t’ia kthente pas disa ditësh. K.H. i ka dërguar sendet me vlerë dhe një sasi parash përmes një shoferi linje në Zall-Bastar”. Pasi ka pritur deri të premten, atij nuk i janë kthyer më sendet me vlerë.

Në këto kushte, ai ka telefonuar shoferin e linjës, i cili i ka thënë se sendet me vlerë dhe paratë që ka dorëzuar në Zall-Bastar nuk i ka marrë asnjë hoxhë, por një djalë i ri, i cili i kishte thënë se ishte dërguar nga vetë hoxha.

Po atë ditë, viktima është telefonuar nga një numër tjetër, i cili është prezantuar si i dërguar nga hoxha dhe i ka kërkuar edhe 12,500 lekë të tjera, që i duheshin për arsye personale, pasi kishte shtruar të atin në spital. Viktima të nesërmen ia ka dërguar shumën e kërkuar personit përmes një shoferi tjetër në Zall-Bastar.

Pasi kanë kaluar disa ditë, viktima ka gjetur dhe kontaktuar hoxhën, që i ka përmendur i afërmi dhe ai i ka thënë se nuk ka qenë kurrë në dijeni të këtyre fakteve dhe se emri i tij ishte përdorur. Në këtë mënyrë, viktima i është drejtuar më pas Komisariatit të Policisë, ku ka kallëzuar të afërmin e tij për mashtrim. /Panorama- http://www.panorama.com.al/do-te-largoj-magjite-nga-shtepia-krushku-i-dha-sendet-me-vlere-dhe-parate-por-ne-fund/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb