Pas angazhimeve të mesjavës në ndeshjet e Kupës, trajneri i Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e djeshme për shtyp përpara përballjes me Sauthemptonin në Premier Ligë. Portugezi ka nënvizuar startin e shkëlqyer të këtij sezoni të “Djajve të Kuq”, ndërsa ka kaluar turin e Kupës së Ligës përballë Barton Albion. Junajtid momentalisht renditet në krye të kategorisë superiore angleze së bashku me rivalët e Sitit, vend që do përpiqet të mbajë edhe në ndeshjen e sotme, me Murinjon që nuk do të ketë në dispozicion Pol Pogba, i cili po riaftësohet nga dëmtimi.

Pas takimit me “Shenjtorët”, në mesjavë trajneri do duhet të përgatisë udhëtimin e vështirë në Ligën e Kampionëve, drejt Moskës, ku do të ketë si kundërshtar CKSAnë. Pasi nisi turneun me një fitore kundër Bazelit, tri pikët në Rusi do i vendosnin “Djajtë” në një pozicion të favorshëm.

DIFERENCAT ME VJET – “Kemi gjithmonë presionin në disavantazh, – është shprehur Murinjo, – por ky fakt nuk përbën më një problem. Përpiqemi gjithmonë të arrijmë fitoren; nëse jo, së paku kërkoj gjithmonë pikë nga lojtarët e mi. Momentalisht kemi tri fitore në ‘Old Trafford’, fituam në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, fituam dhe në Kupë. Nëse arrijmë të shndërrojmë barazimet e vjetshme në fitore do të ishte fantastike. Ia kemi arritur me Uest Hemin dhe Evertonin”.

KUPA E LIGËS – “Jam shprehur një herë se ky turne do ishte më mirë të mos zhvillohej, për të gjitha skuadrat. Për sa i përket Kupës, në atë moment vëmendja ime ishte e gjitha te fitorja që arritëm, jo te ndeshja e radhës në Premier. Ai sukses ishte i rëndësishëm sepse kalojmë në fazën tjetër të kompeticionit”.

MUAJ “FERRI”
– Ndërkaq, Junajtid do të zhvillojë gjashtë nga shtatë ndeshjet e radhës jashtë “Old Trafford”: “Dikush na ka përfshirë te goglat e zeza të shortit… Do jetë e vështirë, por gjithashtu do e kemi më të lehtë në fazën e kthimit. Ndaj, fakti nuk më frikëson pasi numri i ndeshjeve, fundja, në fund do të jetë i njëjti”.

MARSIAL E POGBA – Një mendim ka ardhur edhe për dy nga talentet (të dy francezë) të “Djajve”; elozhe për Marsial: “Shoh tek ai një përmirësim të dukshëm në personalitet, në mendësi, në gjuhën e trupit”, tha Murinjo. “Nëse më duhet ta përmbledh me një fjalë, e shoh të lumtur”. Ndërsa për Pogba ka azhurnuar mbi rikthimin në fushë: “Nuk di kur mund të kthehet, por e shoh si një mundësi për lojtarët e tjerë që të angazhohen dhe u besoj të gjithëve. Nuk do numëroj ditët deri kur Pogba të rikthehet. Megjithatë, e mirëpres”/p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: