Presidenti Aleksandar Vuçiç tha sot se Serbia nuk ka bërë kurrë asgjë kundër Ukrainës.
Ai shtoi se vendi i tij nuk njeh dhe nuk i pranon rezultatet e referendumit rus dhe se kurrë nuk e ka njohur ndarjen e pjesëve të territorit ukrainas.

“Situata e Serbisë formalisht dhe juridikisht është e pastër si loti dhe nuk ka asgjë për t’u ‘sharë’”, tha Vuçiç në lidhje me deklaratën e ambasadorit ukrainas në Beograd, Volodymyr Tolkach, se ëshë pak e vështirë për Kievin të kuptojë vendimin e Serbisë për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se është qesharake të krahasohet çështja e Kosovës dhe katër rajoneve ukrainase që Rusia aneksoi së fundmi.

Vuçiç shtoi se nuk i kujtohet që në vitin 1999 ukrainasit të “sforcoheshin” për të dërguar ndihma në Serbi ose ndërprenë fluturimet në vendet që morën pjesë në sulmin ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.

Ai pyeti se mbi bazën e cilit akt juridik është kryer agresioni ndaj Serbisë dhe në përputhje me cilin akt të OKB-së është bërë dhe në përputhje me cilin vendim dikush ka të drejtë të mos e njohë rezolutën 1244, e cila, siç tha ai, është pjesë përbërëse e OKB-së.

“Ne e respektojmë atë dhe prandaj mbrojmë integritetin territorial të Ukrainës, por nëse ata vendosin të bëjnë disa dallime, është mirë të dini se do të marrin përgjigje më të detajuara”, tha Vuçiç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb