TIRANE – Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 foli për ndryshimet statuore në PD si dhe aksionin opozitar në vazhdim kundër qeverisë.
I pyetur për kritikët e Bashës, ai tha se më shumë se kurrë, PD është e hapur për të gjithë ata që duan t’i hapin “luftë frontale” qeverisë Rama.
“Aksioni qytetar do të përshkallëzohet nëse qeveria vazhdon kështu,” tha Balliu.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të dielën, ndryshime në status, surpriza?
Mendoj se statuti do kalojë, se janë marrë parasysh analiza që janë bërë për zgjedhjesh, këshilla e kritika, nga brenda strukturave të Partisë Demokratike.
Do të marrin pjesë kritikët?
Duhen pyetur ata. Ata janë ftuar si anëtarë të PD. Nuk mund të merremi me PD duke anashkaluar arrestimin e 4 kuksianëve për shembull. Kritikët janë shprehur vetëm kundër PD, po jo për Ramën. Kjo nuk është gjë e mirë për opozitën.
Kritikat nuk vijnë për të mirën e PD?
PD është e qartë në aksionin e saj opozitar. Është e qartë që kjo parti është në luftë frontale me qeverinë Rama. Kushdo që shkëput vëmendjen nga denoncimet e PD kundrejt Ramës, nuk ndihmon askënd.
Ndryshimet statutore do e forcojnë PD?
Sigurisht, pasi sjell një frymë demokratike brenda PD, dhe fakti që janë angazhuar të gjitha strukturat e PD për këtë statut. PD nuk i ka mbyllur dyert askujt. PD është më e hapur se kurrë për një bashkëpunim.
Shiko se nuk është problemi te statuti i PD, ka halle më të mëdha Shqipëria. Nuk i ka inkriminuar statuti i PD institucionet apo parlamentin, nuk është statuti i PD që ka futur në burg 4 kuksianët.
Sot është momenti për cilindo njeri që të bashkohet me PD për të luftuar këtë qeveri që ka humbur realitetin në të cilin ndodhet Shqipëria, në një varfëri të madhe. Pushtetin e kanë marrë bandat. PD e hapur për këdo që do të rrëzojë këtë qeveri.
Kur do të jetë protesta e radhës dhe cila do jetë forma e saj?
Aksioni i opozitës lidhet me qytetarin shqiptar, pasi sot ata janë të vetmuar. Si kurrë më parë, deputetë të PD janë në kontakt shumë të shpeshtë me qytetarët. Jemi gjithë kohës në bashkëpunime me individë. Opozita i del në mbrojtje qytetarëve, institucionet e shtetit godasin qytetarët për të mbrojtur bandat në pushtet. Rasti i fundit ishte arrestimi i katër qytetarëve të pafajshëm, që dolën në protestë kundër një takse për të cilën edhe kryeministri kërkoi falje.
(e.f/BalkanWeb)