Zëvendës Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Ëally Adeyemo tha se ai nuk sheh asnjë situatë ku talebanët, të cilët rimorën pushtetin në Afganistan në gusht, të lejohen të kenë akses në rezervat e bankës qendrore afgane, të cilat kryesisht mbahen në Shtetet e Bashkuara.

“Ne besojmë se është thelbësore që të mbajmë sanksionet tona kundër talebanëve, por në të njëjtën kohë të gjejmë mënyra për ndihmë humanitare legjitime për t’iu ardhur popullit afgan. Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”- i tha Adeyemo të martën Komitetit Bankar të Senatit.

Talibanët i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin një bllok mbi më shumë se 9 miliardë dollarë të rezervave të bankës qendrore afgane të mbajtura jashtë vendit ndërsa qeveria po përpiqet të përmbajë një krizë të thelluar ekonomike.

Talibanët morën përsëri pushtetin në Afganistan në gusht pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat e tyre, pothuajse 20 vjet pasi grupi i armatosur u rrëzua nga forcat e udhëhequra nga SHBA pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, në SHBA.

SHBA dhe vendet e tjera perëndimore janë duke u përballur me zgjedhje të vështira pasi një krizë e rëndë humanitare u shfaq në Afganistan. Ata janë përpjekur të gjejnë se si të angazhohen me talebanët pa u dhënë atyre legjitimitetin që ata kërkojnë, duke siguruar që ndihma humanitare të rrjedhë në vend.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb