Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth deklaratave për një bashkim të mundshëm me Shqipërinë.

“Unë as nuk reagova. E lamë të shkojë një ditë dhe më pas reagoi Brnabic.  Nuk bëhet fjalë për një ambasador, por për të ashtuquajturin kryeministër që kërcënon të bashkojë Shqipërinë”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Presidenti serb është pyetur se çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte thënë diçka të ngjashme, duke aluduar në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

“A do të më varnin në Uashington apo në Bruksel?”, ka thënë tutje Vuçiç gjatë një ceremonie të fillimit të punimeve në një pjesë, në kuadër të projektit të hekurudhës Beograd-Budapest.

“Idetë e mëdha shqiptare nuk shkaktojnë frikë në BE, ndonjëherë mund të shkruajnë në një raport se deklarata nuk ishte e zgjuar dhe kaq”, pretendon presidenti i Serbisë.

Dy ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për radio Monocole se në të ardhmen do të votonte pro një referendumi të bashkimit me Shqipërinë vetëm nëse do të prezantohej në formë demokratike.

“Mendoj se në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik, që do të kryej në sjellje paqësore, unë do të votoja për po, por e përsëris vetëm nëse bëhet në formë demokratike”, deklaroi mes tjerash ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: