“Kristinë lexoje me kujdes çfarë po të shkruajmë. Kërkojmë prej jush 500 mijë euro dhe do t’ju themi ku t’i sillni. Na vjen keq, për humbjen që keni pas me djalin, por po nuk u përgjigjet për çfarë ju kërkojmë, përgatituni për 3 fëmijët e tjerë se do ti çojmë të takojmë vëllanë e tyre. Mbas tyre e ke radhën ti dhe burri”.

Ky mesazh mbërriti në celularin e italianes Cristina Giovanelit, më 6 dhjetor 2019 nga një numër shqiptar. 53-vjecarja dhe bashkëshorti i saj, Massimo Mazzali, përfaqësues të organizatës Caritas Umbria, me seli të Kosovës, iu drejtuan të frikësuar policisë së Kosovës, edhe pse personat e panjohur prej tyre i kërcënonin për të mos denoncuar, duke iu kujtuar se pasojat do të ishin të rënda.

“Jena shumë afër jush dhe ndjekim çdo lëvizje tuajën si në Itali dhe Kosovë. Çdo hap i juaji kontrollohet nga ne. Ne ju japim kohë ta zgjidhim këtë problem pa vonesa. Po bëtë gabimin me të vogël, që mund të shkojë në mend, e kam fjalën për ndonjë denoncim te autoritetet, do shohësh fëmijët e tu, do t’i gris copë copë”, shkruhej me tej në mesazhin kërcënues.

Bashkëshortet italianë, morën në vijim shumë mesazhe të tjera kërcënuese dhe gjobëvënësit iu kërkonin të vinin në Shqipëri për të dorëzuar paratë e konkretisht në qytetin e Durrësit.

Ata u justifikuan me faktin se nuk mund të kalonin kufirin me një shumë kaq, të madhe parash, e për këtë arsye u vendos që lekët të dorëzoheshin në Kosovë. Sipas udhëzimit që i jepej në telefon Massimo Mazzali, futi gjysmë milioni euro në çantë dhe e la atë pranë një objekti në ndërtim, në fshatin Bibaj në Ferizaj. Ishte ora 16.00 e 12 dhjetorit, 2019.

Pasi 57-vjecari u largua, pranë çantës u afrua një person dhe e mori. Policia që po mbikëqyrte çdo lëvizje i vuri prangat. Ai u identifikua si Gjin Suka, ish-përkthyes i organizatës Caritas Umbria dhe një prej njerëzve më të besuar të çiftit Italian, i cili vitet e fundit ishte zhvendosur në Suedi dhe ishte në vështirësi ekonomike.

Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se ai kishte si bashkëpunëtorë, dy bashkëshortët, Arben dhe Valdete Jonuzi, me të cilët kishte udhëtuar drejt Kosovës, ditën që do të merrte paratë. Tre personat e përfshirë në këtë histori janë marrë të pandehur për akuzën e gjobëvënies dhe dosja e tyre iu dorëzuar gjykatës për shqyrtim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb