*Pas plagosjes ne Afganistan, Aleksander Peci kerkon te jetoje ne SHBA-

Hera e fundit që Michael Trost pa Aleksander Pecin, ishte kur të dy burrat ndodheshin me fytyrë përtokë në një rrugë fshati të Afganistanit ndërsa në ajër dëgjohej batareja e armëve.

Takimi i parë bashkë mes dy ushtarakëve ndodhi në aeroportin e McGhee Tyson duke u kthyer në një ngjarje të lumtur, krahasuar me atë ditë të tmerrshme të shkurtit të vitit 2012.

“Hera e fundit që e pashë ishte fushëbeteja. E pamë njëri-tjetrin në sy pa e ditur që do ia dilnim”, thotë Trost në një rrëfim për ‘The Daily Times’.

“Ta shohësh tani Aleksandrin, është një mrekulli. Ekziston një lidhje mes ushtarëve në situata të tilla. Ti lidhesh, mbështetesh dhe e kupton atë, edhe pse nuk flet të njëjtën gjuhë me të”, u shpreh Tost ndërsa mbante të përqafuar Pecin.

Tregimi i Trostit mund të jetë i njohur për qytetarët e Blount County, vendlindja e tij. Ai i ishte nënshtruar një trajtimi mjekësor, kur në vitin 2012, ai, së bashku me ushtarët e tjerë të stacionuar në
Afganistan, kishin rënë në pritë të Policisë Kombëtare Afgane.

Në këtë sulm të afganëve Trost humbi gjysmën e dorës së tij të djathtë, që e la me lëndime të mëdha. Atij iu deshën rreth tre muaj trajtim në spitalet ushtarake para se të mund të kthehej në shtëpi, në
Blount County.

Kurse Aleksandër Peci është komandoja shqiptar që mbijetoi në sulmin e para 4 viteve në fshati në Robat, në Afganistan, ndryshe nga miku i tij, Feti Vogli që ra dëshmor.

Peci tha, “Jam shumë i lumtur që jam këtu…me Michael. Kur e kujtoj atë cast, ka qenë një situatë vërtet e keqe, ishim të dy të lënduar keq”.

Komandoja shqiptar tha se pasi mori veten nga plagët, ka shërbyer dhe 7 muaj të tjerë në Afganistan. Tani me pak ndihmë nga shërbimi si komando dhe qeveria pasi u kthye në Shqipëri, Peci shprehet se është në ankth, pasi do të shohë sesi jetohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Peci thotë se familja e tij përbëhet nga e shoqja dhe dy fëmijët e mitur, dy vajza që ndodhen në Shqipëri, ndërsa shpreson që të shohë mundësitë që të tërheqë familjen në SHBA.

Trost, nga ana e tij u shpreh se do e ndihmojë mikun e tij shqiptar me cfarë të mundet. “Ai është një nga ata persona që unë i konsideroj miq të ngushtë, si vëllain tim. Unë atij do i besoja dhe jetën time”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: