Mjeku Ahmet Kamberi ngre dyshime për rolin e Kadri Hazbiut si ministër i Mbrojtjes në vitin 1981, kur gjatë një takimi i kishte thënë se në Shqipëri ka hyrë një helm, përmes të cilit duan të vrasin Enver Hoxhën, përmes ekipit të mjekëve që qëndronin me të 24 orë.

“Ne e çmuam të nevojshme t’u vëmë në dijeni për këtë”, ishte shprehja që Kadri Hazbiu i kishte thënë profesor Kamberit, të cilit i kishte lindur dyshimi se cilët ishin këta “ne” që flisnin për një helmim të mundshëm të Enver Hoxhës.

Por sipas mjekut, e dyshimtë ka qenë edhe sjellja e shefit të sigurisë së Enver Hoshës, Sulo Gradecit, i cili nuk ia kishte raportuar Enver Hoxhës këtë kërcënim që mund t’i vinte nga një helmim i mundshëm, i shprehur nga ministri Kadri Hazbiu. Profesor Kamberi sjell në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë” dialogun e fundit me Kadri Hazbiun dhe Sulo Gradecin për të përforcuar edhe më shumë pikëpyetjet e tij.

“Shiko, Ahmet! Tek unë mund të kesh besim të plotë. Unë vetëm vdekjes ia tregoj. Unë vura buzën në gaz, nuk iu përgjigja, u përshëndeta me të dhe dola. Por, nga ai çast unë vendosa t’i besoja vetëm lëkurës sime. Rrugës në kthim e pyes Sulon: -Sulo, shoku Kadri edhe si ministër Mbrojtjeje, vazhdon të kryejë funksione të ministrit të Brendshëm? -Jo, -tha ai, por shoku Kadri është me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe e ndihmon ministrin e Brendshëm”.

AHMET KAMBERI

TRONDITËSE…

Ideja e eliminimit të Enver Hoxhës përmes helmimit të tij me një helm me efekt të ngadaltë duket të ishte diskutuar diku. Dikujt pastaj dukej t’i kishte shkuar nëpër mend që mund të përdorej ekipi për realizimin e kësaj ideje.

Aty nga fillimi i korrikut 1981, kur u ktheva nga shërbimi në Komitetin Qendror, më merr oficeri i Shërbimit të Brendshëm në interfoni. Më thotë se më kishte kërkuar ministri i Mbrojtjes, madje kishte bërë edhe vërejtje që nuk kisha shkuar, kur ai kishte kërkuar të shkoja ta takoja në shtëpi.

Mua nuk më kishte thënë gjë njeri për këtë. Por edhe po të më kishte thënë, natyrisht që nuk do të shkoja. Unë isha në detyrë dhe sipas rregullit të shërbimit nuk mund të largohesha për asnjë çast të vetëm pa u zëvendësuar nga njëri prej kolegëve të mi. Ndërkohë, disa prej tyre kishin shkuar tek ai.

E marr në telefon ministrin dhe i them që më kishte kërkuar. Ai fillimisht më qortoi rëndë se përse nuk i përgjigjesha në telefon. E sqarova se kisha qenë në detyrë në Komitetin Qendror. Ai këmbënguli që më kishte telefonuar edhe pas kthimit në dhomë. I thashë se nuk kishte rënë zilja e telefonit.

-Si është e mundur? – tha ai me zemërim.

E pyeta se cilit numri i kishte rënë. Pasi ma tha numrin, e sqarova se atë numër nuk e kishim më. Kishte disa kohë që ai ishte ndërruar.

-Po, çfarë numri keni? – pyeti ai.

-Nuk e di, iu përgjigja, duke bërë të paditurin. Kjo e zemëroi edhe më shumë atë…

– Si, more nuk e ditke ti?! Përse e paskeni atë telefon, – vazhdoi ai duke bërtitur.

-Nuk e di, shoku Kadri. Ne nuk flasim me të përveçse kur na marrin.

-Po oficeri i Brendshëm, as ai nuk e ditka?! Si merreni vesh ju, tha ai pa e ulur tonin.

-Kemi interfoninë e brendshme, -iu përgjigja qetësisht.

-Mirë, mirë, atëherë! Të vish tani menjëherë. Po të pres në shtëpi, -përfundoi ai.

-Po vij sa të më vijë zëvendësuesi, -ia ktheva.

Unë kisha miqësi me Kadriun, prandaj më bëri shumë përshtypje toni i bisedës. Thirra Hajron të vinte të më zëvendësonte. Bashkë me Hajron erdhi dhe Suloja. Kur mori vesh se ku po shkoja, më tha se do të vinte edhe ai me mua. Para meje ai kishte qenë atje edhe me prof. Hoxhën, por këtë nuk ma tha.

Ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, po na priste në dhomën e pritjes në shtëpinë e tij. Aty nuk kishte asnjeri tjetër. Pa e zgjatur dhe me fytyrë të ngrysur, -ai m’u drejtua:

-Të kam thirrur, -më tha ai fare thatë, – se është futur në Shqipëri një helm për të vrarë shokun Enver.

Unë u trondita me të vërtetë shumë nga ajo që dëgjova, se nuk na kishte shkuar nëpër mend një gjë e tillë. Ai e vuri re këtë dhe më tha:

-Ti, mos u trondit! Luftë klasash është dhe këto janë gjëra të pritshme.

Unë e mblodha veten menjëherë dhe i thashë:

-Po, çne ekipi në këtë punë, shoku Kadri?

Ai më shpjegoi pastaj se ata që e kishin futur helmin mund të tentonin të përdornin ekipin për realizimin e qëllimit të tyre. Unë u habita shumë nga ky arsyetim dhe iu përgjigja prerazi:

-Shoku Kadri, shikoni ndonjë pistë tjetër, se nëpërmjet ekipit një gjë e tillë nuk mund të ndodhë kurrë. Ekipi është i organizuar në mënyrë të tillë që as nuk mund t’i shkojë njeriu nëpër mend se mund të përdoret për një punë si kjo.

-Mirë, mirë, – ma ktheu ai, – por ne e çmuam të nevojshme t’u vëmë në dijeni për këtë.

Cilët, ne? – më lindi menjëherë kjo pyetje. Por nuk e hapa gojën. Dhe kaluam në bisedë të lirë sa pimë kafenë që na e shërbeu Edija, e shoqja. Atë unë e kisha shpëtuar nga vdekja, kur pati një ndalim zemre nga infarkti, në kohën kur nuk kisha kaluar ende në shërbim të Enverit. Kadriu na shoqëroi deri përjashta. Suloja mbeti te dera e shtëpisë duke biseduar me Edijen, ndërkohë që ne kishim arritur te porta. Tek po hapte portën, Kadriu më tha papritmas:

-Shiko, Ahmet! Tek unë mund të kesh besim të plotë. Unë vetëm vdekjes ia tregoj. Unë vura buzën në gaz, nuk iu përgjigja, u përshëndeta me të dhe dola. Por, nga ai çast unë vendosa t’i besoja vetëm lëkurës sime. Rrugës në kthim e pyes Sulon:

-Sulo, shoku Kadri edhe si ministër Mbrojtjeje, vazhdon të kryejë funksione të ministrit të Brendshëm?

-Jo, -tha ai, por shoku Kadri është me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe e ndihmon ministrin e Brendshëm.

Unë besoja se edhe ky ishte një rast për t’u raportuar. Por jo. Edhe këtë Suloja e kishte mbajtur për vete. Shumë vite më pas, sapo Nexhmija ishte liruar nga burgu, shkova ta uroja në shtëpinë ku ishte strehuar, në një ndërtesë afër rrethrrotullimit “Shqiponja”, të cilën e quanin “Pularia”, se ashtu kishte qenë më përpara.

Ajo u emocionua nga vizita ime dhe më falënderoi. Ajo më shprehu, gjithashtu, falënderimet për mbështetjen që Shpresa i kishte bërë asaj gjatë kohës që ajo ishte në burg, nëpërmjet një punonjëseje të brendshme. Unë isha kureshtar të dija nëse ata ishin vënë në dijeni për tri ndodhitë, të cilat i kam përshkruar më sipër. Ato ishin ndodhi që nuk mund të fshiheshin nga kujtesa ime.

Ajo më tha që po i dëgjonte për herë të parë këto histori dhe m’u duk se nuk i erdhi mirë që nuk ishte vënë në dijeni për to. Atëherë unë i thashë:

-Më autorizoni që ta pyes Sulon, sepse nuk ju ka informuar?

-Patjetër që po, -m’u përgjigj ajo.

Pas njëfarë kohe, Suloja më vjen në kabinetin tim mjekësor, për t’u konsultuar për një problem shëndetësor të tij. Si mbarova punë, e pyeta:

-More Sulo, të kujtohen ato ndodhitë me Hysni Kapon, me Mehmet Shehun e me Kadri Hazbiun.

-Si s’më kujtohen, -tha ai, -më kujtohen shumë mirë.

-Po unë e pyeta Nexhmijen dhe ajo më tha se nuk dinte gjë. Ti nuk e kishe vënë në dijeni për këtë, – i thashë. Vura re që u vu në siklet.

-Unë, – tha ai, duke i shqiptuar ngadalë dhe ndaras fjalët, -nuk merresha me problemet mjekësore dhe nuk raportoja për to…

-Jo, mor Sulo, ato nuk qenë probleme mjekësore. Ato qenë probleme sigurie dhe unë prandaj të pata vënë në dijeni, duke qenë i bindur se ti do t’i raportoje ato.

-Po, ja, -tha ai, gjithë duke i nxjerrë fjalët jo lirshëm, siç bënte gjithnjë, kur donte t’i zgjidhte fjalët, -atë të Kadriut ajo e dinte se Kadriu, para se të të thërriste ty, ishte në zyrë me shokun Enver dhe ajo e pa atë kur doli nga zyra e tij.

-Po, pastaj që e paska parë ajo, nga do ta merrte me mend  se për çfarë biseduan ata atje brenda, -ia ktheva unë.

Po atë që më thirri Hysni Kapoja në Durrës për të më qortuar rëndë?

-Po ty nuk të ndodhi gjë, -më tha. Unë mendova se ai të kishte thirrur thjesht për të të këshilluar, sepse mund t’i ishte ankuar profesori dhe nuk doja t’i ngatërroj punët më keq.

– Po pse, mor Sulo, këshillë e quan ti të të thonë se “Të kam thirrur për të të dhënë një vërejtje të rëndë me paralajmërim” dhe “Ti mban përgjegjësi shumë të rëndë dhe ta dish se…”?! Dhe ti prisje ta pësoja unë e pastaj ta tregoje?! Jo, Sulo, nuk e kuptoj këtë. Dhe vazhdova: Po kërcënimin nga Mehmet Shehu, edhe këtë këshillim e ke quajtur?!

Ai u ngrys dhe mezi i nxori fjalët.

-A, kjo ishte shumë e rëndë dhe nuk desha t’ua shtoja shqetësimet. Ti e ke parasysh… Komandanti ishte i rënduar nga sëmundja…

E pashë që ishte pa kuptim të vazhdoja më tej, për më tepër ai kishte ardhur tek unë për problemet e veta shëndetësore. Ato ishin çështje të së shkuarës. Dhe për të mos e zgjatur më tej këtë vështirësi vazhdova:

-A, Sulo, Sulo! Më vjen keq të ta them, por lidhur me këto unë mendoj se ti nuk e ke bërë detyrën. E mbyllëm këtu bisedën. As unë e as ai nuk kishim dëshirë ta vazhdonim më tej atë bisedë të pakëndshme.

Në fund të tetorit 2003 Nexhmija më dërgoi dorëshkrimin e faqeve 13-17 dhe 22-28 të librit që po shkruante, të cilat bënin fjalë për ndodhitë e mësipërme. Ndodhinë me Hysni Kapon ajo nuk e përmendte. Këtë unë e kuptova si diçka për të cilën ajo nuk dëshironte të flitej, sepse ata kishin pasur marrëdhënie shumë miqësore me të.

Natyrisht ajo nuk mund t’i mbante mend, ashtu siç ia kisha treguar unë. Për t’i mundësuar asaj të kishte një përmbledhje të thelbit të dy ndodhive tjera, unë i shkrova një letër, ku i përmblodha mjaftueshëm, por me saktësi të dyja ndodhitë. Dhe letrën ia dërgova më 2 nëntor 2003. Libri i saj u botua në prill 2004 dhe ajo ma dhuroi me autograf.

Ajo i është përmbajtur letrës sime me ndryshime të vogla  pa cenuar thelbin e saj dhe pa më përmendur me emër, çka unë nuk ia kisha kërkuar, (fq 215 -224). Aty mësova edhe për justifikimet e Sulos. Po citoj atë që ajo shkruan në librin e saj “Miqësi e tradhtuar”:

“Këto dy episode që përshkrova më lart për M. Shehun dhe K. Hazbiun, i kam marrë vesh tani vonë. Gjatë një vizite që më bëri shefi i sigurimit personal të Enverit, kur dëgjoi se po shkruaja këtë libër, më tha:

-Sigurisht do të përshkruash edhe atë episodin e çuditshëm të thirrjes së mjekëve nga Kadri Hazbiu…

-Nuk e di përse e ke fjalën? – e pyeta.

Dhe ai më tregoi ato që përshkrova më lart. Ai shprehu çudinë që nuk e dija, duke më thënë: “Kam menduar se juve do t’ju kishte folur shoku komandant për informacionin që i kishte dhënë K. Hazbiu ose do t’jua kishte thënë ndonjëri nga mjekët”

Po kështu ndodhi edhe me mjekun, i cili, lidhur me episodin e thirrjes së tyre nga K. Hazbiu, kishte menduar se nuk i përkiste atij të më njoftonte dhe kishte menduar se këtë gjë e kishte bërë shefi i sigurimit, i cili shoqëroi mjekët një e nga një për në shtëpinë e K. Hazbiut.

Ndërsa për episodin me M. Shehun, atij i qe dukur shumë i shëmtuar për të ma treguar, kurse me kolegët e kishin marrë atë fakt ashtu siç u tha Llambi Ziçishti: “Ashtu e ka ai” dhe kthesën e tij e morën si “pendesë” për fyerjen që u bëri. Por kur u botua “Tabloja sinoptike…” çdo gjë u bë e qartë”

Pra, Suloja, i cili kishte kohë që e kishte mësuar nga unë se Nexhmija nuk dinte gjë për ndodhinë me Mehmet Shehun dhe as atë me Kadri Hazbiun për helmin, kishte bërë të paditurin dhe kishte treguar habi se pse ajo nuk kishte dijeni për helmin (!).

E sa për kërcënimin e Mehmet Shehut, ai e kishte quajtur tepër të shëmtuar sjelljen e Kryeministrit për ta raportuar. Pas kësaj bisede të tij me Nexhmijen, Suloja, u përpoq disa herë të më justifikohej. Por unë nuk kisha asnjë dëshirë për sqarime që nuk kishin më vlerë. Sidoqoftë, unë u kujdesa për Sulon kur u sëmur deri në fund, ashtu si edhe për të shoqen dhe ata që të dy më qenë mirënjohës./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb