Deputetja e PD, Dhurata Çupi ka publikuar në rrjetet sociale fjalën e kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili ka thënë se në janar 2025, Struktura e Posaçme do të ketë një strategji për të hetuar dhe dënuar krimet zgjedhore.

Çupi shprehet se gjatë kësaj kohe, kemi parë se bisedat në SkyEcc, por edhe përgjimet e mëparshme të autoriteteve, ku personazhe të ndryshme flasin hapur për krime zgjedhore, ku ndër to spikat blerja e votave.

Ligjvënësja demokrate i bën thirrje SPAK-ut që të reagojë për situatën dhe të vihet në lëvizje teksa jemi 4 muaj larg zgjedhjeve parlamentare.

Deklarata

“Një kujtesë për SPAK

Kur kemi hyrë zyrtarisht në periudhën zgjedhore, problemi kryesor është pabarazia e palëve në zgjedhje. Ne përballemi me një qeveri dhe kryeministër që përdor buxhetin, administratën, paratë e pista të korrupsionit dhe krimin e organizuar si mjete për të forcuar pushtetin personal.

Ne e dimë se krimet zgjedhore janë të përditshme. E dimë sesi pushteti shpërndan para me thasë, (jo në kuptimin figurativ) mbledh karta identiteti për të mos lejuar votimin e kundërshtarëve, jep leje, liçenca, shpall investitorë strategjikë, shpërndan bonuse për pensionistët para zgjedhjeve, jep shtëpi sociale, sikur t’i kishte pronë personale, organizon çunat e Dubait në mbledhje votash. Bisedat në SKY/ECC, përgjimet e mëparshme na i kanë provuar të gjitha këto.

Prej 12 vitesh situata vetëm përkeqësohet, edhe pse ne kemi votuar për një Prokurori të Posaçme që do të duhej të luftojë krimet zgjedhore! Kemi një premtim publik nga kreu i SPAK për një strategji kundër krimeve zgjedhore, por, deri tani, premtimi është i pambajtur. Koha kalon dhe sot, kur kanë mbetur më pak se 120 ditë nga dita e zgjedhjeve, SPAK duhet te reagojë”, shprehet Çupi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb