VLORË

Policia Kufitare në Portin Vlorë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Vlorë, parandalojnë dhe godasin një rast të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit duke arrestuar 3 shtetas të huaj.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si rezultat dhe i masave të shtuara, shërbimet e Policisë Kufitare në Portin Vlorë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasit e huaj egjiptian Abdelsattar Gad, Esam Hegazy dhe Mahmoud Elagwany, të cilët udhëtonin së bashku me një automjet tip “Opel” me drejtues shtetasin Abdelsattar Gad, në drejtim të tragetit të linjës Vlorë–Brindisi.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre 3 shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 leje qëndrimi dhe 2 karta identiteti të cilat iu përkisnin shtetasve Esam Hegazy dhe Mahmoud Elagwany, të dyshuara të falsifikuara.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Abdelsattar Gad, ka ndihmuar dy shtetasit e tjerë të shtetësisë egjiptiane duke i transportuar si pasagjerë në automjetin e tij, me qëllim për të kaluar kufirin për në shtetin Italian.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit Abdelsattar Gad, 23 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe Esam Hegazy, 30 vjeç dhe Mahmoud Elagwany, 33 vjeç, të dy banues në Egjipt, për veprat penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb