TIRANË- Deputetja demokrate Mesila Doda, njëkohësisht një prej iniciatorëve për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit ka dalë sot kundër draftit të propozuar nga qeveria për ligjin e lustracionit. Doda tha se projektligji i qeverisë ka disa probleme dhe mbron figurat e së kaluarës, të cilat janë në postet më të larta të piramidës shtetërore.

“Ligji i miratuar sot për dosjet, ligj paralel me atë që është depozituar në parlament nga ana jonë, ka dy probleme: Shantazhimi, pushteti mund ta përdorë si mënyrë shantazhimi të personave të inkriminuar, apo që janë në dosje. Kur në fakt duhet spastrim i piramidës më të lartë shtetërore nga figurat e së kaluarës dhe që kanë vendimmarrje politike. Ligji që paraqitet sot i mbron në mënyrë eksplicite këto figura të së kaluarës. Roli udhëheqës në procesin e legjislativit i takon parlamentit jo ekzekutivit. Qeveria mund të propozojë por jo të marrë rolin e parlamentit, siç po tenton të bëjë”, tha Doda.

Lidhur me akuzat e ministrit Veliaj për anti-kushtetueshmërinë e draftit të depozituar në Kuvend nga vetë ajo dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Doda tha se Veliaj po thotë gjëra të paqena dhe se mund ta dërgojë në Komisionin e Venecias për verifikim.

“Në mënyrë të qartë, Veliaj po thotë për gjëra që nuk i ka ligji që kemi depozituar ne në Kuvend. Veliaj po tenton të marrë shumë shpesh të role që nuk i takojnë, si sot që tentoi të merrte rolin e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Nëse mendoni se drafti ynë është jokushtetues çojeni në Komisionin e Venecias”, ka thënë deputetja Mesila Doda.

Ajo u ka bërë apel deputetëve, ish-aktivistë të “Lëvizjes së dhjetorit” që ti bashkohen për të kërkuar largimin e xhelatëve nga piramida shtetërore.

“Xhelatët nuk kanë vend në politikë. I drejtoj një apel kryeministrit, grupimi që e ka mbështetur këtë ligj, do të çojnë në PE, në KiE në NATO, mënyrën se si po tentoni të mbroni njerëzit tuaj, mostrat e së kaluarës që po tentojnë të mbijetojnë në sistemin e vendimmarrjes. I drejtohem të persekutuarëve politikë, kjo është çështje respekti, jo veç çështje ekonomike. Duam që xhelatët të jenë jashtë piramidës shtetërore”, ka thënë Doda.

Po sot Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se është gati drafti për hapjen e dosjeve, që synon dhënien fund të shantazheve. Për këtë sipas tij do të ngrihet Autoriteti për Informim Publik.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb