TIRANË- Dogana Shqiptare ka prezantuar sot reformën në Administratë dhe Sistemin Antikorrupsion, duke përfshirë Kodin e Ri të Etikës, Uniformën e Re dhe Testin e Integritetit. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali fillimisht njoftoi mbi bllokimin e 15 kompanive në fushën e përpunimit, prodhimit dhe stokimit të naftës bruto në vend, si pasojë e mungesës së pajisjeve matëse në impiantin e tyre.
“Asnjë nga operatorët ekonomikë të pajisur me autorizim për magazinë fiskale si prodhues dhe përpunues të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj në vend, nuk kishin të instaluar në impiantin e tyre të prodhimit dhe përpunimit, pajisjet matëse. Dogana ka njoftuar të gjithë këta operatorë për vendosjen e pajisjeve matëse në linjat e tyre të prodhimit dhe përpunimit. Ky detyrim ligjor nuk është zbatuar me vite, duke krijuar një mangësi të dukshme në kontrollin e sasisë së naftës së prodhuar dhe stokuar në vend”, informoi Spiropali.
Drejtoresha e Doganave tha më tej se për shkak të mungesës së këtyre pajisjeve, këta operatorë u bllokuan deri në pajisjen e tyre.
“Duke qenë se 15 përpunuesit dhe prodhuesit e naftës në Republikën e Shqipërisë nuk kishin vendosur këto pajisje matëse, brenda datës 31 dhjetor 2014, që ishte edhe afati i fundit i vendosur nga Dogana, u krye bllokimi i aktivitetit të tyre në sistem, duke pezulluar plotësisht aktivitetin e tyre ekonomik. Menjëherë këto subjekte të bllokuara kanë reaguar duke bërë porositjen dhe blerjen e këtyre pajisjeve matëse, si hap i parë i vendosjes së kontrollit të Doganës Shqiptare mbi biznesin e prodhimit, përpunimit dhe stokimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, u shpreh Drejtoresha e Doganave.
Më pas Spiropali prezantoi Reformën në Administratën Doganore dhe Sistemin Antikorrupsion të implementuar gjatë kësaj periudhe.
“Organizimi i këtij aktiviteti ka për qëllim komunikimin e disa prej elementëve të një pakete antikorrupsion që është prezantuar tek punonjësit e Doganës si dhe tek publiku, elemente që i shërbejnë forcimit të aftësisë së Administratës Doganore për minimizimin e mundësisë për korrupsion brenda sistemeve, për edukimin e personelit dhe drejtuesve në lidhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre si dhe për frenimin e veprimtarisë potencialisht korruptive. Vizioni ynë është trajnimi profesional i punonjësve tanë, përmes Akademisë Fiskale. Është hartuar dhe miratuar me kolegët tanë të Crown Agents Kodi i Ri i Etikës i cili mëshiron elementë të qenësishëm”, tha ajo.
Më pas u prezantua aplikimi i Testit të Integritetit për punonjësit e Administratës Doganore. “Dogana ka filluar tashmë aplikimin e Testit të Integritetit dhe Metodës së Standardizuar të Mënyrës së Vendimmarrjes” i hartuar nga ekspertët e Crown Agents që asistojnë Doganën, test që do t’ua sugjeroja edhe institucioneve të tjera ta aplikojnë. Testi i Integritetit është mjeti që u mundëson punonjësve të Antikorrupsionit të kontrollojnë nëse punonjësit e drejtuesit doganorë iu përmbahen Kodit të Etikës dhe Kodit Doganor dhe nëse vendimet që merren gjatë punës së tyre janë ato të duhurat”, përfundoi Spiropali.
Gjatë këtij aktiviteti Dogana Shqiptare ka shpërndarë disa certifikata merite në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Doganave për biznese, dhoma tregtie dhe institucione ndërkombëtare të spikatura që punojnë ngushtësisht me doganën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb