TIRANE – Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 23-vjeçaren Desara Mançellari, e cila akuzohet për shkatërrim prone, pasi dogji 4 makinat e babait të ish të dashurit të saj.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e deritanishme rezulton se Desara Mançellari ka vepruar në hakmarrje e sipër, për shkak të konflikteve që kishte me familjen e ish të dashurit.

Gjykata arsyetoi se vepra penale për të cilën akuzohet vajza, është e rrezikshme për shoqërinë. Gjithashtu gjykata saktësoi edhe faktin se për këtë vepër penale ka një masë vendimi nga 2 deri në 10 vjet burg.

Vajza u paraqit e qetë në gjykatë, ndërsa avokati i saj, Ferdinand Ndoja tha se Desara është keqtrajtuar nga ish- i dashuri dhe familjarët e tij, të cilët e kanë kërcënuar dhe i kanë bërë presion, që lidhja mes të rinjve të mos vazhdonte më.

Një ditë më parë, vajza pranoi në Polici se ishte ajo që i dha fund lidhjes me Filip Papajanin. Këtë veprim ajo ka thënë se e ka kryer nisur edhe nga ndërhyrjet e vazhdueshme të nënës së tij, ndaj së cilës ka marrë hak, duke i djegur makinën.

E perditshmja “Panorama” shkruan sot se për këtë arsye vajza 23-vjeçare ka thënë se vendosi t’i vinte flakën makinës së nënës së ish-të dashurit dhe pas saj u dogjën edhe 3 makinat e tjera. Vajza ka pranuar në Polici se gjithçka e ka bërë për hakmarrje ndaj fyerjeve të nënës së tij dhe për shkak se i dashuri e kishte goditur me shpullë. Mesazhet që kanë shkëmbyer në “Facebook”, nga data 21 mars deri më 29 mars, konfirmojnë se ka qenë 23-vjeçarja ajo që vendosi t’i japë fund lidhjes.

Ndërsa Filip Papajani i kërkon vazhdimisht që t’i japë numrin e telefonit dhe të flasin, por ajo nuk pranon. Në mesazhin e fundit ajo i thotë që nuk ia ka më besën. Ajo i betohet që nuk i ka bërë keq asnjëherë, por thjesht ishte lodhur dhe donte të ndahej, pasi nuk e meritonte këtë. Edhe gjatë dëshmisë që ka dhënë në Polici, Mançellari ka treguar të njëjtin version, duke e thënë se ky ka qenë edhe motivi i ngjarjes. Vajza ka shpjeguar se kishte qenë e lidhur për afro 10 muaj me Filip Papajanin, të cilin e kishte njohur në lokalin që babai i tij kishte në pronësi, në rrugën “Riza Cerova”, që ndodhej pranë shtëpisë së saj.

Ajo ka treguar se fillimisht lidhja kishte ecur mirë, edhe pse ai ishte 2 vjet më i vogël. Por ka qenë pikërisht diferenca e moshës që nuk është pranuar nga nëna e tij, Areti Papajani, që kishte shkaktuar problemet, derisa Desara vendosi t’i jepte fund lidhjes.

E duke qenë se e kishte fajësuar atë për ndarjen, ndonëse vendimin e mori vetë, 23-vjeçarja vendosi t’i digjte makinën. Por nuk mori parasysh që flakët mund të përhapeshin, ashtu siç edhe ndodhi, dhe të digjnin edhe makinat e tjera të parkuara pranë saj.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: