Partizani do të përballet me Laçin në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, një rival që i kërcënon edhe në kampionat teksa këtë të shtunën do të përballet ndërmjet tyre. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama u shpreh se do të preferonte të kishte një derbi në këtë fazë, jo me Tiranën, pasi bardheblutë janë eliminuar, por me Dinamon. Rama theksoi ndër të tjera se të kuqtë këtë sezon do të luftojnë në dy fronte, Kupë dhe Kampionat:

“Kupa është një kompeticion që për ta fituar duhet të kalosh kundërshtarët më të vështirë, kështu që në qoftë se Laçi vjen në çerekfinale, gjysmëfinale apo finale nuk ka rëndësi. Janë një ekip për t’u kaluar, megjithëse objektivi ynë është të fitojmë ndaj çdokujt.

Ndeshje teke janë bërë edhe në Champions vjet. Në këtë situatë që jemi ndeshjet teke janë më mirë që të mos ngarkohen lojtarët shumë sepse kalendari është i ngjeshur.

Do shkojmë në Laç për të fituar. Ne luajmë çdo ndeshje për ta fituar. Duam kampionatin dhe Kupën. Nuk është çështje snobizmi. Të gjitha ekipet në këtë kalendar vendosin objektivat e tyre. Dje po më pyesnin kë do në short dhe kërkova derbi.

Më thanë se Tirana është eliminuar dhe i thashë se jo sepse është derbi me Dinamon. E kishim edhe afër, tani duhet të marrim autobusin të shkojmë në Laç, megjithëse afër është. Ka akoma edhe shumë javë. Ndeshja e së shtunës ndaj Laçit është një ndeshje që na duhen pikët dhe ndaj një rivali formë.

Janë ekip që na kanë mundur në Laç 3-1 dhe kjo tregon gjithë rëndësinë që ka një ndeshje e tillë për ne. Kanë 5 fitore radhazi dhe janë ekipi më në formë i kampionatit. Luajnë mirë dhe kanë lojtarë cilësorë. Unë shoh Partizanin dhe them se edhe ne jemi ekip në formë dhe duhet vetëm të vazhdojmë në vazhdën e lojërave që kemi bërë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb