Si jetohet kur të ndalojnë me dhunë të dashurosh? Çfarë ngjyre ka qielli, dielli, yjet dhe lulet? Ç’shije ka ajri, uji, puthja e munguar, përvëlimi i trupit në dëshirë? Ngjyrat dhe shijen e tërbimit – na e thotë Namik Dokle me romanin e tij “Ditët e lakuriqëve të natës”. Studiuesja Anna Kove, e nis me këto pyetje shënimin e saj për romanin më të ri të Namik Dokles, “Ditët e lakuriqëve të natës”. Thotë se subjekti i këtij romani shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca. “Ajo vjen nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë asnjë mundësi të bëjnë dashuri.

Në fshat mbizotëron një shtetrrethim i frikshëm mbi ndjesitë dhe nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet kanë veshur, të gjithë, petkat e tyre prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare në diktaturë. Heshtja e frikshme mes banorëve për të artikuluar dyshimet, e pengon një profesor shkencëtar të njihet shpejt me të vërtetën”, shënon Kove. Për të, laboratori i tij nuk është thjesht shkencor, por kryesisht njerëzor. Në këtë roman, ashtu si edhe në dy paraardhësit e tij, autori Dokle ka lëmuar mjeshtërisht fjalorin e pasur të zonës; legjendat dhe mitet, realitetet magjike janë sërish pjesë domethënëse e rrëfenjës së autorit, i cili tashmë e ka të shtruar si kalldrëm, me gurët e skalitur, udhën e sigurt drejt lexuesit dhe letërsisë së bukur shqipe.

 

Për studiuesin Behar Gjoka, “Ditët e lakuriqëve të natës”, krahas dy romaneve të mëparshme, plotëson triptikun romanor të Namik Dokles, shënjon vlerë të letrave shqipe. Gjashtë ditët e kohës letrare, që sipas Gjokës vijnë përmes digresionit, japin shkërmoqjen e ëndrrave. Në fshatin e dashurisë së shprehur me lule, ka rënë tërbimi. Për ta qartësuar mjegullën absurde shkon biologu. Ai vëren se kujtesa e përmbysur e linjave, narrativës dhe simbolikës, së lakuriqëve dhe dhelprave të kuqe, plazmojnë magjikën e tjetërsimit të qenies. Kllapia e zhgjëndrrës, derdhur si “ironi intertekstuale” e Eco-s, është zbulesa e vrasjes së dashurisë, aty ku njeriu i ri, i Partisë dhe i Sigurimit, shkel me këmbë dijetarin, dëshmon rebusin letrar…

Namik Dokle lindi në Durrës, më 11 mars të vitit 1946. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega ekonomi agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970). Fillimisht punoi si gazetar, por që prej viti 1991 u bë i njohur si politikan në parlamentin shqiptar. Krijimtaria e tij letrare është pasur me tregime, drama, radiodrama, publicistikë dhe së fundi ka lëvruar edhe romanin.

TRI FRAGMENTE NGA LIBRI
Edhe unë jam si këta lakuriqët, jam rrasur në një shtëpi të braktisur dhe akoma nuk di se çfarë bëj, mendoi profesor Reka. Pastaj e pyeti Sejdon pse ishte aty dhe ai i tregoi se donte të shikonte nga afër lakuriqët e ardhur nga miniera e shembur. Të gjitha dhomat pa diell janë plot, i tha, dhe po vijnë edhe të tjerë, disa kanë ngordhur, të tjerë bien në mes të rrugës, pa arritur në strehën e tyre të re. Gjithë shqetësimi i profesorit ishte lloji i lakuriqëve, nëse ishin hematofogë ose jo. Po të ishin “gjakpirës” dhe jo insektengrënës, sqaroi ai, gjithë ajo luzmë qindralakuriqshe do të mjaftonte për të tërbuar jo një, por shtatë apo shtatëdhjetë fshatra. Por shumë shpejt Sejdo e qetësoi. Kishte dy orë që i vëzhgonte dhe nuk kishte parë asnjë lakuriq gjakpirës. Me një shkop të gjatë që e mbante në dorë goditi një nga ata që fluturonin qorrazi rreth tyre dhe e kapi mes duarve, i hapi gojën dhe i tregoi profesorit që lakuriqi nuk i kishte dhëmbët si të vampirit, ky nuk kafshon, ky lloj gëlltit insektet, i tha. “Lëshoje!”, i thirri profesori. “Mund të ketë rrezatim.”
Sejdo e dëgjonte për herë të parë atë fjalë.

Te plote e lexoni ne Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb