Kur muzeologut të famshëm dhe të papërsëdytshëm Lefter Dilo, në lagjen Varosh të Gjirokastrës, në janar të vitit 1989 iu dogj shtëpia, qyteti mbajti frymën. Mësuesi i nderuar në këtë qytet, zoti Stefan Qurku shprehej: “E kujtoj si tani zotin Lefter në shtëpinë tonë që shihte djegien e dokumentave dhe e ndjej akoma shpërfytyrimin e tij ndaj atyre që nuk vlerësonin ato. Nuk kërkonte të shpëtohesh shtëpia, por vetëm dhoma e dokumentave. Ai njeri, me këtë pasion, sot harrohet dhe një emër rruge, minimalisht në Gjirokastrën e tij, mungon!…”

Ishte një humbje e madhe artefaktesh dhe memuaresh nën atë shkrumb që mbeti si e vetmja shenjë zezuese deri pas një farë kohe, kur i biri, doktor Llambi, me mundime pune vetë dhe financim shtëpiak, e rikonstruktoi banesën.

Mbetet ndoshta, një ndër humbjet më pësuese për qytetin, historiografinë, muzeologjinë shqiptare dhe arkivën personale të një intelektuali që në vitet ’30-’40’-të, qëndronte në të njëjtat tavolina dhe botonte në shtypin më të rëndësishëm të hapësirës shqiptare, bashkë me grupimet më të zëshme, me intelektualët mendje-peshërëndë si: At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Rauf Fico, Ernest Koliqi, Faik Konica, Petro Marko, Migjeni, etj., etj… E sa, e sa, emra të tjerë të përndritjes mendore shqiptare, pa qëndruar tek më të shquarit që kishte Gjirokastra…

Ishte Lefter Dilo. Një humbës vërtet i madh i memuareve të veta, i arkivës personale për qytetin dhe i dorëshkrimeve të mbajtura si në besueshmëri ashtu edhe në përkujdestari të shenjtë, lënë shumica prej miqve të tij të përndritur. Në atë zhurritje fatkeqësisht, kanë përfunduar ditare e shënime të tij, mes të cilave edhe ato të rrallat e panjohura që ndër miq të paktë dhe tek biri i vet, i pat përmendur si “mistere” se si pat qenë pjesë e misionit lobues në një udhëtim me Poradecin, për propozimin grek të At Gjergj Fishtës (të cilin Dilo e cilësonte si “mbretn të poetëve shqiptarë”), për Nobelin në letërsi, falë njohjes që Ali Asllani, ish ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, kishte me Sekretarin e Akademisë së Athinës, poetin kombëtar grek Kostis Pallama.

Në vitet 1938-1943, kur shoqërinë shqiptare e mbulonin kohë të zymta e dilema të ferrta ardhmërie, ky zotni gjirokastrit, projektonte vijimësinë përmes një hopi të muzeologjisë dhe kryesisht memorialistikës kombëtare. Ishte ndër të rrallët që kishte krijuar arkivën e parë unike të ekzemplarëve dorëshkrimorë të miqve të tij. Në këtë pasuri përfshiheshin për shembull koleksionet e gazetës autoritare “Demokratia” të Jorgji Meksit, apo ndër shumë e shumë të tjera, edhe libri i vetëpërmbledhur, i mikut të tij, Faik Konica me titull të paralënë: “Kandili i kuq” apo libri i tij autorial me kopje të munguara edhe në Arkivën Qendrore apo Bibliotekën Kombëtare, të panjohur plotësisht në kohën tonë, me titullin “Himara”.

Dorëshkrimin “Kandili i kuq”, Dilo i madh, e pat mbledhur dhe përgatitur kryesisht në periudhën e viteve 1943-1944. Por mbërriti për lexuesin shqiptar nga enti Argeta LMG, në vitin 2021, falë kujdesit të të birit, Doktor Llambi Dilo.

Tek libri “Kandili i kuq”, Lefter Dilo sjell një tekst të Konicës për Jorgji Meksin, me të njëjtin titull në faqet 259-260. Eshtë një tekst me vlerë dhe kuptimësi perifrazuese edhe për vetë Lefter Dilon dhe fatin e tij social e shpërblyes, të pavlerësuar sa meriton, si në kohë të qenies fizike, ashtu edhe atë të mosqenies me frymën e gjoksit.

Ja ç’farë shkruan Konica për Meksin:” ….Pensioni që i ka lidhur Guverna zotit Meksi ësht i vogël, dhe, në barabitje me persona të tjerë që marrin pensione nga shteti, na duket se nuk çmojen shërbimet e tij siç duhet. E dimë që Arka e Shtetit është e vobektë dhe mund të mos e premtojë për më shumë, po besojmë se ka mënyra të tjera që të paguhen më mirë njerësit e merituar si zoti Meksi.

Shqipëria sot është e mbushur anë mb’anë me “patriot” pleq që kërkojnë pensione, dhe po të jetë se Guverna merr ndër sy kërkime të tilla, jo vetëm që nuk ka t’u japë një pension të duhur patriotëve të vërtetë dhe pleq si zoti Meksi që e meritojnë, po nuk do t’i mbetet gjësendi n’Arkën e Shtetit për të paguar nëpunësit e saj. “…

Ishte një ndër të paktat gjëra të thesarta që mbetën nga shkrumbimi i shtëpisë. Këtë botim Doktor Llambi ia shtoi bibliografisë shqiptare dhe sidomos asaj koniciane, gati një vit para se të shkonte në takimin e amëshueshëm me të atin…

Por barra e peshës së personalitetit të atit-Lefter Dilo, u mbart si një mision dhe reagim protestues, kumtërisht dhe intelektualisht, nga i biri.

Sa herë në takimet dhe qëndrimet në tavolinat e hijshme gjirokastrite në Qafë të Pazarit, doktor Llambi revoltohej për bjerrjen e shkëlqimit të muzeumeve të Gjirokastrës, të cilat trashëgonin statusin e ndikimit kombëtar. Eshtë fjala për ish Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe, Muzeu i Rilindjes (Shtëpia e Topullarajve), Muzeu i armëve., etj., etj, me jehonë dhe ndikim nëpër krejt viset tona, të cilat pas viteve ’90-të po vuanin shpërfilljen, shuarjen dhe humbjen e statusit praktik, pikërisht në ato godina që restauroi dhe kuroi, i ati i paharrueshëm.

Dhimbjet e mëdha të Lefter Dilos pas djegies së shtëpisë dhe “rënies” së muzeumeve” u shndërruan dhe mbetën dhimbje për familjen e tij, veçanërisht për bijën dhe djalin. Por pa mundësinë për ta ndryshuar rrjedhën e dhimbjes dhe sidomos brengës aq të fisme kombëtare, të rilindasit të mbetur në më shumë se tri kohë politike…

Këtë refleksion-in memoriam për Lefter Dilon, ndoshta do ta kisha lënë për më vonë, (ndonëse shpesh dhe gjatë e kam menduar dhe mbajtur në mendje). Ikja, fundjavën e shkuar, e doktor Llambit ishte një goditje dhimbëse për mua dhe disa qindra, e qindra të njohur të tij në qytet dhe kudo ku gjenden kolegë e miq të tij.

Një jetë e bashkëshkuar mbi dy dekada në qytet dhe një miqësi konstante (mbi katër të tilla) mes nesh, na dhanë mjaftueshmërisht jo vetëm lidhjen e njohjen, por më së shumti vlerësimin dhe çmesën intelektuale. Fati e deshi që pararëndshëm, dy prindërit tanë ishin njohur dhe ndanin kujtime për trashëgiminë dhe etnokulturën shqiptare.

Doktor Llambi iku si një bir që nuk e ndau ndërgjegjen nga fetaria shërbyese dhe vlerësuese për kontributin e të atit. E rikujtonte atë në çdo takim me prindër që i adresoheshin statusit të tij prej kardiologu-pediatër. E brente vijueshmërisht “ humbja fatale” e punëve dhe dorëshkrimeve të të atit, sikundër mërgimi vrastar prej projekteve të tij themeltarë për muzeumet dhe muzeologjinë në vend.

Sëmundja tinzare e ndau befasisht dhe shpejt doktor Llambin. Iku duke lënë disa shenja të mjafta, por dhe shumë të papërfunduara. Në përditshmërinë e qytetit fiksoi dhe la shenjën njerëzore të doktorit me dije dhe inteligjencë, të profesionistit sfidant dhe të matur dhe në kujtesën e bashkëkohësve u lartua si intelektuali me krenari të legjitimtë dhe si gjirokastriti që pati At, një rilindas të shumëkohshëm dhe u soll e shkoi mirënjohshëm, si bir i tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb