Gazetari Blendi Fevziu tregoi në “Kjo Javë” të Nisida Tufës, në Neës24, librat që po përgatit për t’i botuar pas “Tirana e Nonës”. Fevziu tha se ka thuajse gati një libër, që ia dedikon luftës në Kosovë.

Gjithashtu, Fevziu u shpreh po përgatit dhe një libër me disa nga personat kryesore, që ka njohur gjatë punës së tij si gazetar dhe që shumica nuk jetojnë më. Më tej, gazetari foli dhe për një libër të tretë, që do ta hedhë në treg, ku zbuloi dhe tematikën e saj, dhe është një ditar politik.

“Kam dy – tre tituj thuajse të gatshëm. Kam një libër të mbaruar që e kam lënë, sepse duhet të verifikoj dy gjëra shumë të vogla, por që vlejnë. Është një libër që flet për luftën e Kosovës, dhe besoj që është i vetmi në këtë rast, dhe rolin e Hashim Thaçit si kreu i UÇK, brenda zhanerit historik. Më mbeten të verifikoj dy gjëra që ende sot me gjithë dokumentet që shoh i kam kontradiktore, pra katër vetë më thonë 4 versione të ndryshme për momentin e krijimit të UÇK.

Kam një libër me disa nga personazhet kryesorë që kam njohur në punën time si gazetar dhe që shumica e tyre nuk jetojnë më. Dua t’i kthej në një libër si portrete të veçanta, janë rreth 20 e ca personazhe deri tani, si Mbretëresha Geraldinë, Dritëro Agolli, Mahmud Bakalli, Fadil Berisha, Ramiz Alia, por edhe personazhe më pak të zakonshëm. Bëj një biografi të jetës së tyre, por e nis gjithmonë nga momenti si i kam njohur unë këto personazhe.

Dhe kam një libër të tretë, një ditar politik thuajse ditë pas dite, ditët që kanë lënë gjurmë i gjithë asaj që quhet karriera ime në angazhimin publik që në 1989 kur isha student, nis me ditën kur ra muri i Berlinit, dhe nis me një letër që i cova Ben Blushit që e kisha në bankën prapa dhe i shkrova që ‘muri i Berlinit ra’ ai se kishte parë lajmin dhe me tha se nuk kishte mundësi se një ditë më parë u tha që nuk do të bjerë dhe ky shkëmbim që e kam gjetur më vonë, nis si baza e këtij libri që e kam shkruar deri në vitin 2009 më duhet të shkruaj deri në 2019, por nuk e di kur do ta mbyll, është një lloj dokumenti i jashtëzakonshëm për ata që duan të njohin tre dekada të politikës por edhe eventeve madhore të Shqipërisë postkomuniste”, deklaroi Blendi Fevziu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb