Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjesve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje volumonize ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjina nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.

Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë, dhe arratisja e Ilias së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.

Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vëndeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pas botimit në katër numra rradhazi të një sërë dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, të cilat prej kohësh kanë qenë me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë të deklasifikuara, ku bëhet fjalë për një korrespodencë të ambasadës shqiptare në Athinë me Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë në vitet 1982-‘84, lidhur me shtetasin shqiptar, Ilia Theodhor Leka me origjinë nga fshati Glinë i Gjirokastrës dhe me banim në fshatrat e Myzeqesë, ku kanë qenë të internuar që nga viti 1951, si dhe arratisjen e Ilias në Greqi në vitin 1982 (së bashku me të vëllanë dhe xhaxhanë e tyre), pasi më parë i kishin arrestuar dhe babanë, ku ata për afro tre vite bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, duke sensibilizuar opinion vëndas, partitë politike, parlamentin, qeverinë greke, organizata të ndryshme, etj., ne kemi realizuar një intervistë ekskluzive me vetë Ilia Lekën, ku ai hedh dritë jo vetëm mbi ato dokumente që tashmë janë bërë publike nga Memorie.al, por edhe për të gjithë historinë e tij dhe të familjes, nga viti 1945, e deri më sot.

Zoti Ilia, çfarë gabimi bëtë në lidhje me ngjarjen në kufi…?!

Sepse, kur i’u dhashë intervistë atyre aty në Greqi, thashë orën dhe vëndin ku kishim kaluar. Dhe kur këta në Shqipëri e morën vesh, vajtën dhe i arrestuan ushtarët e kufirit. Ky ishte gabim i madh, por nuk na vajti mëndja, pasi ne thonim vetëm të vërtetën se ndryshe nuk na besonte njeri dhe na merrnin për provokatorë apo të dërguar me mision nga regjimi komunist.

Ç’ndodhi më pas me ju, ku ju çuan?

Pasi mbaruan hetimet, na mbajtën aty në Janinë duke na sistemuar të tre në një shtëpi të një pronari vëndas dhe aty vinin shumë gazetarë që na kërkonin për të dhënë intervista, por na kishin lënë një polic që na mbikqyrte dhe nuk duhet të bënim asgjë pa vënë atë në dijeni. Kur i dhashë një intervistë një gazetari dhe thashë për një shqiptar me origjinë hebreje që e kisha njohur në Vlorë, një Abraham mesa kujtoj dhe për ato letrat që i kisha dërguar në Tiranë, para arratisjes, pra ato që i kisha shkruar Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, etj., ai polici që na ruante, më tha: “Ti do të rrish këtu, pasi do të bie unë një gazetar tjetër”. ‘Mbeta këtu’, thashë me vete unë dhe ashtu ndodhi vërtet, pasi vëllanë, Kriston dhe xhaxhanë, Spiron, i lejuan të shkonin në Athinë, kurse mua më mbajti pronari, me të ngrëna e me të pira, dhe më sillte shumë gazetarë që të më takonin.

Ai polici, ua solli gazetarin që tha?

Po, më erdhi një izraelit dhe më çoi në një sallë ku ishin nja 100 e ca veta, të gjithë gazetarë të veshur me kostume, të huaj të ardhur nga Europa, etj. Unë i thashë që: ‘do të flas greqisht’. “Dakort”, më thanë ata. Më erdhi ai gazetari izraelit dhe më pyeste për atë Abrahamin që kisha pas njohur kur kisha qenë në Vlorë. “Shiko’- më tha ai izraeliti,- ‘po ta them hapur, po të na thuash ti tre emra hebrenjsh, që regjimi komunist i Enver Hoxhës i mban në burgje, ne e zhdukim atë regjim për 24 orë”. Unë jo vetëm që nuk dija emra hebrejesh që ishin të arrestuar në Shqipëri, por dhe po të dija, s’do u thoja gjë me atë fjalë që tha ai.

Ç’ndodhi më pas me ju?

Të nesërmen, shoh unë gazetat, ca thonin që isha spiun, ca të tjerë thoshin që më ka mësuar CIA amerikane që të flisja ashtu, etj., etj., ç’a nuk shkruanin. Unë u habita shumë. Pas kësaj më lejuan edhe mua të shkoja në Athinë ku u takova me vëllanë Kriston dhe xhaxhanë, Spiron dhe të tre vendosëm që të rrinim aty dhe të bënin grevë urie para ambasadës shqiptare, por vetëm xhaxhai, Spiro qëndroi nja dhjetë ditë me mua dhe pastaj vazhdova vetëm, pasi edhe ai iku. Kështu gjithçka, protestat, mitingjet, fjalimet dhe të gjithë grevën e urisë e kam bërë vetëm unë.

Ku shkuan ata, pra Kristo me Spiron?

Spiro qëndroi në Athinë ku u sistemua me punë, ndërsa vëllai, Kristo, shkoi në një fshat grek në kufi me fshatin tonë Glinë dhe aty u morr me blegtori me nja 50 kokë dele. Aty jetoi e punoi ai gjithë kohën dhe pasi u martua me një vajzë shqiptare, deri sa ndërroi jetë në vitin 2016. Fatet tona u ndanë dhe rrallë takoheshim të tre, pasi unë ndoqa atë rrugë për të cilën isha arratisur dhe kisha shkuar në Greqi, pra për të protestuar me të gjitha mundësitë e mija, lidhur me ato që kishte bërë e po bënte shteti shqiptar ndaj familjes sonë, duke më mbajtur babanë kot në burg, me akuza absurde që i bënin këta të Sigurimit të Shtetit. Dhe të gjitha ato që kam bërë, janë të përshkruara qartë e saktë tek dokumentet e ambasadës shqiptare të Athinës drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, që ju i keni botuar duke i bërë publike te shkrimet tuaja. Pra: që nga letrat kërcënuese që i bëra Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Hekuran Isait, etj., takimet me politikanë e deputetë, mitingjet e protestës para ambasadës, fjalimet që mbaja unë, etj., etj., që besoj nuk është nevoja t’i përsërisim prapë. Ka dhe letra të tjera që unë i kam bërë Enver Hoxhës e Ramiz Alisë që kur isha në Shqipëri, pra pa u arratisur dhe shikojini se atje në arkiva duhet të jenë me këto që keni gjetur, pasi që kur isha atje kërkoja të drejtën e babait tim që ishte krejt i pafajshëm.

Para se të dalim aty, pra te greva e urisë dhe protestat tuaja, juve nuk i’u ofruan punë kur vajtët në Athinë?

Më ofruan menjëherë një punë si mekanik në një fabrikë, por unë nuk qëndrova më shumë se dhjetë ditë aty edhe pse ishte punë shumë e mire. Pasi isha gjithë kohën i izoluar dhe nuk kisha kohë e mundësi për të bërë grevën e protestat, në mënyrë që t’ia arrija qëllimit që i kisha vënë vetes, pra sesibilizimin e opinionit publik dhe politikës aty, që ata të bënin presion me qeverinë komuniste të Tiranës, lidhur me trajtimin ç’njerzor që po i bëhej familjes ime në Shqipëri, ku babai plak dhe me një sy mbahej në burg fare kot, dhe nëna ime, me gruan time dhe djalin e vogël ishin internuar. Të gjitha këto, unë ia kisha bërë të ditur edhe Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Hekuran Isait, me anë të disa letrave ku edhe i kam kërcënuar. Pra gjërat i kisha të qarta dhe u’a kisha bërë të ditura, si udhëheqjes së shtetit shqiptar, ashtu edhe atyre greke e opinionit publik. Shikoni letrat e mija që ju vetë i keni botuar dhe dokumentet e tjera të shtetit shqiptar, aty i keni të pasqyruara qartë çdo gjë të veprimtarisë sime. Pra, po u’a përsëris edhe njëherë, që: unë nuk u arratisa në Greqi thjesht për të shpëtuar kokën time dhe për të rregulluar jetën si Ilia, pasi po të ishte ashtu, së pari: unë do rrija në Shqipëri duke mbyllur gojën e do t’i nënshtrohesha fatit ashtu si gjithë të tjerët, duke punuar ku nuk fitoja pak, pasi isha mjeshtër si mekanik. Dhe e dyta, kur erdha në Greqi, kisha plot mundësi të sistemohesha me punë dhe të jetoja për mrekulli, madje edhe duke krijuar familje nga e para, por nuk i bëra asnjë nga këto, se unë erdha këtu, jo për vete, por për familjen time që kisha lënë në Shqipëri.

Të kthehemi tek greva e urisë dhe protestat tuaja, si dhe mitingjet që keni bërë e fjalimet që keni mbajtur, ku gjithnjë sipas dokumenteve që ne kemi publikuar, përveç partive politike, dhe organizatave të ndryshme, ato u shfrytëzuan edhe nga qarqe shoviniste greke, si dhe segmente te Klerit Orthodoks të Greqisë, si Mitropoliti Sebastianos etj., për të ashtuquajturin “problem i Vorio-Epirit”?!

Po ashtu është ato i shfrytëzuan për qëllimet e tyre, por, unë, nuk mund t’a ndalja dot ato, pasi nuk kisha asnjë lloj mundësie. Pra, në një farë mënyre, unë isha si puna e asaj arushës që kërcen valle nën muzikën e arixhiut, i cili me dajre, mbledh lekët që hidhen aty. Besoj se më kuptoni qartë se ç’far dua të them me këtë. Pra, nga “vallja” që hidhja unë me atë grevë që zhvilloja, protestat e fjalimet ku kërkoja dhe flisja për të drejtat e mija legjitime, një pjesë “të fitimeve”, i merrnin të tjerët, pra ato qarqet shoviniste që e shfrytëzuan për qëllimet e tyre atë situatë. Ç’farë mund t’ju bëja unë atyre, mund t’i ndaloja dot?! Por ju nuk e dini, se krahas këtyre, pra mbështetjes që pata nga politika dhe këto organizata, unë pata shumë pengesa të tjera.

Konkretisht, çfarë?

Në të gjitha ato protesta dhe grevën e urisë që bëra unë, nuk kisha ndonjë mbështetje nga qeveria greke, përkundrazi, pasi PASOK-u, i kishte mirë marrëdhëniet me Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe nuk donte të krijoheshin probleme, prandaj më pengonte. Kishte disa udhëheqës të PASOK-ut që më përkrahnin, por zyrtarisht si qeveri, mua më pengonin siç më kanë larguar disa herë me dhunë nga çadra ku bëja grevën e urisë para ambasadës shqiptare. Pra, po të mos ishte opozita, pra “Demokracia e Re”, dhe mbështetësit e saj, mua nuk do më kishin lënë të protestoja, ishin deputetët dhe mbështetësit e saj që më përkrahnin në të gjithë ato që bëja për sensibilizimin e opinionit grek, ku një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe shtypi grek. Edhe ata mund ta kenë bërë për qëllimet e interesat e tyre, por më kanë mbështetur shumë, jashtë mase.

Të kthehemi tek jeta juaj private në Greqi, pasi u larguat nga ajo punë si mekanik, ku dhe me se jetonit dhe si e përballonit jetesën gjatë gjithë asaj kohe që keni bërë grevën e urisë dhe protestat që janë të pasqyruara edhe në dokumentet që kemi botuar ne ashtu dhe në të gjitha materialet me video, broshurat, gazetat, revistat etj., që dispononi ju?

Pasi u largova nga puna si mekanik për ato arsye që u thashë, unë punoja si lulishtar nëpër shtëpia të ndryshme private dhe me ato që më paguanin e përballoja pa asnjë problem jetesën, pasi edhe për të fjetur, flija nëpër ato shtëpi ku punoja si lulishtar. Në atë punë dhe në ato shtëpi, duke ngrënë bukë me djath dhe me sallam, unë kam banuar deri në fundin e viteve ’80-të, duke bërë një jetë shumë të thjeshtë, deri sa ‘ia arrita qëllimit dhe më lejuan që të më vinte pjesa tjetër e familjes që ishte në Shqipëri.

Para se të dalim aty, pra, te ribashkimi me familjen, a mund të na thoni, gjatë atyre viteve që ju bëtë grevën e urisë dhe protesat e ndryshme, a kishit probleme me ambasadën shqiptare në Athinë dhe me shtetin shqiptar?

Kisha aq shumë probleme, sa po të filloj t’ua tregoj të gjitha, duhen orë e ditë të tëra t’i shkruani, nuk di nga t’ia filloj!

Shkurtimisht disa nga më kryesoret?

Kur erdha unë fillimisht këtu në Greqi në prillin e vitit 1982, ambasador i Shqipërisë në Athinë ishte Bashkim Dino, por këtë pas disa muajsh e hoqën dhe në vënd të tij sollën, Ksenofon Nushin, apo Çenon, siç e thërrisnin, një njeri që thonin se është mik personal i Enver Hoxhës. Pas ardhjes së tij, ndryshuan shumë gjëra, duke filluar që nga problemet e sigurisë. E para ishte ajo e personelit të amabasadës shqiptare (që banonte në një ndërtesë me pesë kate, me një pjesë të familjeve të tyre), ku furnizimin me ushqime, nuk e bënin më si zakonisht aty në Athinë, por nga frika se mos i helmonin, ua sillnin me avion nga Tirana një herë në jaëv, çdo të martë.

Përveç kësaj, pra problemeve të sigurisë, a kishit përballje me personelin e ambasadës dhe si silleshin ata ndaj jush?

Gjëja e parë që u bë ndaj meje, ku jam i bindur 100 % se kishte gisht ambasada, ishte tentative për të më rrëmbyer mua fizikisht. Kështu vetëm pak kohë pasi unë kisha filluar grevën e urisë, teksa po rrija me një mikun tim, Gëzim Muka (me origjinë nga Tepelena), katër persona gjysëm të maskuar, zbritën nga një makinë private dhe më mbërthyen e më tërhoqën zvarrë për të më futur me forcë në makinë e tyre. Unë rezistova dhe bërtita aq shumë, duke i kërkuar ndihmë Gëzimit, i cili me shpejtësi u afrua dhe i goditi keq ata, duke i detyruar që të më lëshonin dhe të iknin me të shpejtë me makinën e tyre që ishte e ndezur dhe me një person në timon. Shpëtova prej tyre vetëm në saj të Gëzimit, pasi do më kishin marrë me forcë dhe kuptohet, do më kishin hedhur të vdekur në ndonjë vend ku nuk do më kishte gjetur njeri kurrë.

Kush ishin ata persona dhe a u bë problem kjo gjë, pra a erdhi policia?

Nuk e mësova kurrë dot se kush ishin ata, pasi siç thashë, ishin gjysëm të maskuar, me një targë civile që thanë se ishte fallco, por nuk duhej shumë mënd të kuptohej se pas atij veprimi, fshihej ambasada shqiptare, apo njerzit të ardhur nga Tirana, pra Sigurimi i Shtetit. Policia erdhi menjëherë dhe u vunë në ndjekje të tyre dhe mua më morrën për të më pyetur në rajonin e policies, ku dhashë shpjegimet e mia bashkë me Gëzimin. U bë bujë e madhe, pasi të nesërmen shkruajtën gazetat kryesore me gërma të mëdha dhe emri i Ilia Lekës, u bë lajm kryesor. I kam të ruajtura pjesën më të madhe të atyre gazetave dhe mund t’ua jap kur të doni t’i shikoni dhe t’i publikoni.

Konkretisht, çfarë i’u thanë në polici?

Po më morrën në pyetje rreth ngjarjes dhe në fund më thanë që edhe unë duhej të bëja kujdes, se çdo gjë mund të ndodhte, pra të ruaja kokën. Kështu pas kësaj ngjarje, unë u detyrova që të ndërroja shtëpitë shpesh pa i treguar asnjeriu se ku rrija dhe aty ku flija të kisha siguri, se çdo gjë mund të ndodhte me mua. Por për fat mirë, probleme të tilla nuk pata më, por përplasje dhe përballje me ata të ambasadës, apo të tjerë që vinin nga Shqipëria, unë pata vazhdimisht, pasi nuk i lija unë ata rehat.

Para se të dalim aty, pra te përballjet dhe problemet tuaja me personelin e ambasadës, a mund të na thoni se kush ishte ai shoku juaj, Gëzimi dhe në ç’rrethana gjendej ai në Greqi?

Gëzim Muka, apo Kosta siç e thërrisja unë, ishte me origjinë nga Tepelena, nga babai, kurse nga nëna, nga Zervati, një fshat i minoritetit grek të zonës së Gjirokastrës. Babai i Gëzimit, Rahmi Muka, (ishte jetim dhe i rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë) ishte martuar aty në Zervat ku kishte kryer shërbimin ushtarak dhe ai u arratis nga Shqipëria në Greqi në vitin 1964, duke ikur nga ajo postë e kufirit ku shërbente si nënoficer dhe që më parë kishte qenë ushtar aty. Kurse i biri, Gëzimi u arratis nga Shqipëria në 1983-in dhe erdhi në Greqi.

Si mundi që të arratisej Gëzimi?

Gëzimi është arratisur nga fshati Freshtan i Gjirokastrës më datën 7 janar të vitit 1983, ku ai kishte shkuar për të rregulluar samarin e mushkës me të cilën punonte si kafshar. Atë ditë, forcat e kufirit kishin vrarë një djal të ri, 19 vjeçar nga Freshtani, Spiro Kokoli, në tentativë për t’u arratisur nga Shqipëria për në Greqi, të cilin pasi e vranë, trupin e tij pa jetë e hipën pas një “ZETOR”-i dhe e shëtitën në disa fshatra të kufirit si: Freshtan, Peshkëpi e poshtëme, Glinë, Derviçan, etj., me qëllim që të terrorizonin banorët e atyre zonave, që të mos guxonte njeri për t’u arratisur pasi do kishte “fatin” e tij. Gëzimi e kishte parë me syte e tij të gjithë atë ngjarje dhe ishte tmerruar, madje më tregonte edhe emrin e zetoristit, Theodhor Lapi, të cilin e kishin detyruar që të hipte në “ZETOR”-in e tij duke e shëtitur atë të shkretë fshat më fshat. Si djalë shumë i zgjuar që ishte, Gëzimi kishte menduar se pikërisht atë ditë, kur e gjithë vëmëndja e forcave dhe reparteve të kufirit ishte përqëndruar te ajo ngjarje ku i mblidhnin me detyrim banorët e atyre fshatrave që ta shikonin atë skenë, ai vendosi që të arratisej dhe u nis në drejtim të kufirit duke kaluar pa asnjë problem e doli në Greqi. Gëzimin e kisha shumë mik, pasi ai ishte djalë i besës, shumë i fuqishëm dhe po të mos ishte ai do më kishin rrëmbyer e me siguri do isha i vdekur.

Po me shqiptarë të tjerë të arratisur a kishit lidhje?

Kisha edhe me shqiptarë të tjerë të arratisur, siç ishte Niko Pleqi nga Tirana, një ish ushtar kufiri që u arratis në vitin 1983 duke dalë në Greqi me gjithë armët e municioent që kishte aty në piramidë ku kryente shërbimin ushtarak. Nikon shkova dhe e morra unë në Kampin e Llavros-it ku i mbanin fillimisht këta që arratiseshin dhe pasi e mbajta disa ditë në shtëpinë time dhe i gjeja ndonjë punë, ai fitoi azilin politik dhe iku në SHBA, ku ndodhet edhe sot. Po kështu kam ndihmuar edhe ata dy sportistët e ekipit “Vllaznia”, Hoxhën dhe Bërshemin që erdhën për ndeshje futbolli këtu, si dhe atë përkthyesin, Ilir Bulka./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb