Drejtoria e Hetimit Tatimor, kreu mbrëmjen e së enjtes, bllokimin e lokalit të njohur në mes të Tiranës, Taivan, në kuadër të aksionit antiinformalitet. Lajmi u publikua edhe nga vetë zv/kryeministri Erion Braçe përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili theksonte se aksioni i nisur me dorë të hekurt nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, nuk do të kursejë askënd, nëse kapet në shkelje të ligjit.
Në postimin e tij Braçe publikonte foto nga lokali në fjalë, ndërsa në dyert e lolalit ishin vendosur shiritat “Hetimi Tatimor”. Zv/kryeministri shkruan se “Mu në zemër të Tiranës dhe pa asnjë-zero kupon tatimor në cdo tavolinë! Për herë të dytë!!”

Ndërkohë në një reagim për “BalkanWeb” menaxheri i këtij lokali, shprehet se nga aksioni i inspektorëve tatimorë, ka rezultuar se pa kupon tatimor, ka qenë vetëm një prej tavolinave, faktuar kjo edhe në procesverbalin e hartuar prej tyre.

Dokumenti

“Nga të gjitha tavolinat e mbushura me kliente, kanë gjetur vetëm 1 pa kupon dhe vlerë e faturës është 4.300 lekë. Është abuzim i njërit prej kamarierëve, i cili u pushua menjëherë nga puna”. Sipas tij punonjësit e tatimeve kanë urdhëruar bllokimin e të gjitha njësive në të dy katet e godinës, për këtë faturë të munguar, duke lënë në punë vetëm kazinonë e cila ndodhet në katin përdhes.

Menaxheri i Taivan thekson se do të apelojë masën e marrë nga drejtoria e hetimit tatimor, duke kërkuar lirimin e ambjenteve të bllokuara. Gjithashtu në apelimin e masës do të kërkohet edhe zhdëmtimi ekonomik ashtu si edhe për prishje të imazhit, duke marrë parasysh faktin se bllokimi i lokalit është kryer në kulmin e sezonit turistik.

Në fakt duket absurde që zv/kryeministri në statusin e tij reklamon që në lokal janë gjetur të gjitha tavolinat pa kupon tatimor, ndërkohë që në procesverbalin e masës së marrë nga Tatimet, rezulton vetëm njëra prej tyre pa kupon.

Bllokimi i lokalit përpos show qeveritar mund të rezultojë me humbje për financat e tatimeve, duke patur parasysh se gjate periudhes se bllokimit nuk do të realizohen të ardhura që vijnë nga taksimi i xhiros së lokaleve në godinën e njohur në qendër të Tiranës. Për më tepër këto humbje mund të shtohen nga një vendim i pritshëm i gjykatës për dëmin ekonomik e të imazhit të Taivanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb