TIRANE- Sipas dokumenteve që posedon BIRN, zbulohet se shumë shqiptarë që kanë shkuar për xhihad në Siri kanë marrë me vete dhe familjen. BIRN thote se 13 gra dhe 31 fëmijë (mes tyre 23 minorenë) kanë shkuar në Siri. Disa prej tyre kanë mbetur jetimë apo në rastin e femrave të veja.

Dokumentet e Prokurorisë së Krimeve të Renda tregojnë se këta familje janë larguar nga Shqipëria mes viteve 2012­-2014. Aty thuhet se bashkëshortet e xhihadistëve dhe fëmijët jetojnë në kampe, ndërsa meshkujt luftojnë në vijën e parë të betejës.

Por, gratë dhe fëmijët që kanë humbur të parin e shtëpisë në luftë nuk lejohen që të rikthehen në atdhe. Që prej vitit 2012 përllogaritet që 10 shqiptarë të jenë vrarë. Sipas hetuesve të prokurorisë pesë prej tyre kanë lënë në Siri gra dhe fëmijë.

Një prej tyre është Shkëlzen Dumani, i cili mori me vete dhe dy fëmijët pa lejen e bashkëshortes, Eva dhe Endri Dumani. Hamit Myslija ka lënë katër fëmijët, Bledar Hamza ka lënë një vajzë dy vjeçe, Diamant Rasha ka lënë gruan dhe dy fëmijët, ndërsa Hasan Korvafaj dhe Sherif Taushani kanë lënë pas tre fëmijë.

Gratë dhe fëmijët e xhihadistëve të rënë në luftë jetojnë në kampet e ISIS-­it. Floresha, bashkëshortja e Diamant Rashës është e bllokuar pasi nuk lejohet që të kthehet në Shqipëri nga militantët e ISIS.

Diamanti, i cili së fundmi njihej me emrin Ebu Amar dhe punonte si shpërndarës picash para se të shkonte në Siri. Ai u vra me snajper në janar 2014. Gruaja e tij ka kërkuar të kthehet në Shqipëri, por militantët e ISIS i kanë thënë se nuk mund të kthehet pa kaluar 4 muaj e 10 ditë nga vdekja e burrit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb