Skënder Gjinushit i hapet udhë për t’u rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë, menjëherë pas përfundimit të mandatit të tanishëm. Një grup deputetësh kanë propozuar ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”. Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”, ku siç shihet është hequr togfjalëshi, por jo radhazi”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ligji i miratuar vetëm 4 vite më parë ndryshon tepër shpejt, ndonëse i parapriu gjithë zhurmës mbi nevojën për një reformë, dhe kritikave të shumta, për kryetarë e zgjedhje farsë çka çoi drejt penalizimit deri edhe në buxhetet shtetërore në institucionin. E megjithatë, vetëm 4 vite më pas, kthehemi të besojmë se kryetari duhet të ketë dy mandate radhazi.

Kur Skënder Gjinushi u zgjodh për të drejtuar Akademinë e Shkencave në vitin 2019, ardhja e tij në krye të institucionit më të rëndësishëm të shkencës, pasoi një kohë të gjatë debati e akuzash nga ana e kryeministrit të vendit Edi Rama, që e cilësonte akademinë, një godinë vakish, që hapej vetëm për ceremoni mortore çka e bënte sipas tij, Çabejn të rrotullohej në varr. Përplasja e qeverisë me institucionin shkencor, qe nxitur nga rrokada mes Muzafer Korkutit dhe Gudar Beqirajt në pozicione drejtuese. Me marrjen e Akademisë nga Gjinushi, ish ministër nën Ramiz Alinë, ish aleati i Ramës që la partinë për akademinë, Kryeministri i vendit, hapi thesin e fondeve dhe u rikthye të besojë se nën lidershipin e Gjinushit, “dikush i asaj kohe akademike mund të garantojë këtë kohë”.

Ndryshimet ligjore që u bënë pikërisht për të shmangur rrokadën duket po zhbëhen për të sjellë jetëgjatësinë e një drejtuesi në një post.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb