TIRANË

Pas investigimit të News24 që zbuloi parregullsitë dhe shkeljet ligjore e zgjedhjes në 2018 së Alban Toros, si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendi i Shqipërise është vënë në lëvizje duke i kërkuar KLGJ që të shqyrtojë të dhënat në lidhje me mospërputhjen e kushteve të zgjedhshmërisë në detyre për Alban Toron.

News24 ka siguruar dokumentin që kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i përcjell të dhënat KLGJ-së mbi Alban Toron. Manja i ështe drejtuar kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami ku i përcjell praktikën për veprime të mëtejshme, bazuar në informacionin e mbledhur nga News24.

  • foto galeri

Alban Toro është një nga 11 anëtarët e KLGJ-së, i cili vjen nga radhët e avokatisë. Si i tillë ai duhet të mbante mbi supe një eksperiencë të paktën 10-vjeçare pa ndërprerje si avokat. Këtë kriter, Alban Toro nuk e përmbush.

Bazuar në nenin 19, gërma ” d”, të ligjit nr 115/2016, anëtarët e KLGJ-së që vijnë nga avokatia duhet të kenë 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist, nga të cilat të paktën 10 vitet e fundit të kenë ushtruar profesionin e avokatit pa ndërprerje.

Ligji nuk specifikon kriteret e vlerësimit të juristëve të spikatur, por ajo që mund të vërtetohet me lehtësi është fakti se gjatë periudhës 2010-2018, Alban Toro e ka pezulluar 3 herë aktivitetin e tij si avokat. Këto janë të dhëna të regjistruara në qendrën kombëtare të biznesit.

Konkretisht rezulton se Toro është regjistruar në QKB për të ushtruar profesionin si avokat më 16 Nëntor 2007.

Duke ju referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se Alban Toro nga data 02 Mars 2010 deri në datën 20 shtator 2011 e ka pezulluar ushtrimin e aktivitetit si avokat për afro 1 vit e gjysmë. Më pas, ai e ka ushtruar profesionin nga data 20 shtator 2011 deri në datën 27 shkurt 2018.

Por aktiviteti ka rinisur brenda 2 muajsh, për t’u pezulluar sërish në 21 dhjetor 2018, kohë kur mori detyrën si anëtar i KLGJ me mandat 5-vjeçar, i vlefshëm deri në dhjetor 2023.

Nisur nga këto fakte zyrtare që gjenden në QKB, Alban Toro duhet të ishte skualifikuar nga gara për anëtar i KLGJ-së, pasi të dhënat vërtetojnë faktin se eksperienca e tij si avokat është ndërprerë disa herë në 10-vjeçarin e fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb