Në sytë e Enver Hoxhës, Feçor Shehu ishte po aq fajtor, sa edhe Kryeministri, që kishte fejuar të birin me një vajzë nga një derë me probleme në biografi.

Pas tri takimeve me Mehmet Shehun dhe konsultimeve me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain, Enver Hoxha thërret në takim Feçor Shehun, kreun e Sigurimit të Shtetit. Për diktatorin ishte e papranueshme që kreu i Sigurimit, me të cilin Mehmet Shehu kishte biseduar për fejesën e djalit, kishte anashkaluar faktin që familja e Silva Turdiut paraqiste probleme biografike. Në numrin e kaluar zbardhëm sqarimet plotësuese që ministri i Brendshëm shpjegoi për shefin e regjimit rreth situatës problematike të krushqisë së re të Kryeministrit.

Pjesa në vijim e bisedës fokusohet në qëndrimin kritik që Hoxha shpalos para shefit të Sigurimit të Shtetit, të cilin e shigjeton po aq të përgjegjshëm sa dhe bashkëpunëtorin e tij më të afërt që ka mbyllur sytë para fejesës së djalit me një vajzë me biografi të keqe. Ndër të tjera, kreu i Partisë e gjen fajtor Feçor Shehun në tri aspekte kryesore: Së pari, që nuk ia ka thënë Mehmetit të heqë dorë nga krushqia me Turdiun. Së dyti, që nuk e ka vënë në dijeni kur ka marrë vesh celebrimin e lidhjes.

Dhe së treti, që nuk ka dhënë asnjë informacion tek udhëheqja e Partisë kur Tirana ziente për këtë ngjarje të bujshme. Sakaq, Hoxha gjen rastin ta fajësojë ministrin e Brendshëm, që nuk i ka raportuar edhe për “paudhësitë” e djalit tjetër të Kryeministrit, Bashkimit, i cili, bashkë me të shoqen, shfaqen në Tiranë në shoqërinë e të huajve. Një moment, kryepolici mundohet të shmanget, duke u justifikuar se nuk e kanë informuar, por aty për aty Hoxha ia pret me ton të ashpër: Nuk të kuptoj Feçor. Si nuk të vënë ty në korrent vartësit ç’po bëjnë andej-këtej fëmijët tanë? Po çfarë kanë biseduar tjetër Hoxha dhe Shehu mbrëmjen e 21 shtatorit ‘81…

DOKUMENTI

BISEDA E SHKOUT ENVER HOXHA ME SHOKUN FEÇOR SHEHU, MINISTËR I BRENDSHËM MË 21 SHTATOR 1981

ENVER HOXHA: Kur të pyeti Mehmeti se çfarë do të bëje ti po të të ngjiste një gjë e tillë me djalin tënd, ti iu përgjigje se do pyesje Partinë. Por nuk duhej ti thoshe atë, por t’i flisje hapur si kishe për të vepruar vetë, sikur të të ndodhte kjo në familjen tënde, se ai ta bëri pyetjen. Prandaj, të binte detyrë t’i thoshe që unë në shtëpinë time nuk e fus këtë vajzë, sikur edhe yll të jetë për arsye se ka disa njerëz shumë të këqij të afërt. E kupton që kjo ishte detyra jote?

FEÇOR SHEHU: E kuptoj shoku Enver.

ENVER HOXHA: Këtë duhej t’ia thoshe, edhe pa e ditur biografinë e gruas së Qazim Turdiut, se mjaftonin dy vëllezërit e këtij që janë të arratisur politikë dhe kjo ishte mjaft që ai mos të përzihej në këtë punë.

FEÇOR SHEHU: Ashtu është edhe pa e ditur fare rrethin e gruas së tij.

ENVER HOXHA: Pra, mjaft ishte me këta dy të arratisur politikë. Prandaj ti duhej ti thoshe Mehmetit që unë për vete unë nuk e bëj dot këtë hap. E kupton ti këtë gjë?

FEÇOR SHEHU: Si nuk e kuptoj.

ENVER HOXHA: Gabimi yt i tretë: Kur more vesh që u fejua djali i Mehmetit me këtë vajzë, duhej të vije menjëherë tek unë dhe të më informoje se shoku Mehmet ka bërë një gjë të tillë. Ky është një tjetër gabim i rëndë nga ana jote, e kupton këtë?

FEÇOR SHEHU: Si nuk e kuptoj, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Gabimi tjetër, Feçor: Kur e gjithë Tirana ziente për këtë fejesë, ti prapë nuk erdhe të më thoshe.

FEÇOR SHEHU: Gabim, shoku Enver, gabim nga ana ime.

ENVER HOXHA: Unë nuk dija gjë, për herë të parë ma tha Iliri, djali i madh. Atë e kishin ftuar dhe shkoi me gjithë nusen në ceremoninë e fejesës. Fillimisht kishim menduar që atë ditë të shkonim dhe unë me Nexhmijen për t’i uruar, por vendosëm të shkonim të nesërmen. Vamë një ditë më vonë, kaluam gjithë gëzim, me të qeshura e shaka, bëmë edhe fotografia. Mirëpo, fotografitë që bëmë me këtë rast, mund të venë dhe tek Arshi Pipa në SHBA, në zyrat e FBI-së dhe të CIA-s. Të nesërmen vijnë dhe më thonë: More, po ç’ka bërë kështu Mehmeti? Nejse. Unë e thirra atë, e lajmërova të largohej menjëherë nga Korça dhe biseduam gjerë e gjatë për këtë çështje. Ai njohu gabimin e madh, por çështjen e kam me ty. Së pari, pse nuk ia the drejtpërdrejt Mehmetit mendimin, po në mënyrë të tërthortë?

FEÇOR SHEHU: Kam gabuar atëherë.

ENVER HOXHA: Duhet t’i kuptosh thellë këto gjëra vetë Feçor, po ashtu dhe shokët e tu që punojnë në organet e Punëve të Brendshme.

FEÇOR SHEHU: Si urdhëron, shoku Enver! E kuptoj që këto që kam bërë janë gabime shumë të rënda.

ENVER HOXHA: Bile, shumë të rënda. Si të lejojmë ne të na futet elementi armik brenda në shtëpitë tona?

FEÇOR SHEHU: Pastaj është dhe besimi që kam qorrazi unë te shokët.

ENVER HOXHA: Po pse të besosh qorrçe? Tani që u likuidua kjo çështje dhe fejesa e djalit të Mehmetit me vajzën e Qazim Turdiut u prish, kanë ardhur dhe mua më kanë thënë: Po Ministria e Brendshme çfarë ka bërë në këtë rast? Ka qëndruar duke bërë sehir? Pse nuk vuri ajo në korent shokun Mehmet Shehu? E kupton ti këtë?

FEÇOR SHEHU: Si nuk e kuptoj shoku Enver dhe më vret ndërgjegjja shumë për këtë që ka ndodhur.

ENVER HOXHA: Tani të të pyes për disa gjëra të tjera.

FEÇOR SHEHU: Urdhëro, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Çfarë thuhet për Bashkim Shehun dhe gruan e tij. Ke informata ti.

FEÇOR SHEHU: Kam të dhëna që Bashkim Shehu diku vete e shoqërohet me të huajt.

ENVER HOXHA: Me cilët të huaj?

FEÇOR SHEHU: Ai frekuenton ato lokale që frekuentojnë dhe të huajt, si hotel “Dajti” dhe lokale të tjera të turizmit. Ai shkon në këto lokale bashkë me gruan e tij. Këtë ia kemi vënë atij në dukje që kur në ministri ishte Kadri Hazbiu.

ENVER HOXHA: Kanë kontakte me të huajt Bashkimi me të shoqen?

FEÇOR SHEHU: Kur këta venë në këto lokale, ne nuk i shikojmë.

ENVER HOXHA: Po ne i kemi nën kontroll të huajt. Pse nuk i ke ti nën kontroll të huajt?

FEÇOR SHEHU: Të huajt po, nën kontroll i kemi.

ENVER HOXHA: Po tanët?

FEÇOR SHEHU: Tanët nuk i shikojmë.

ENVER HOXHA: Po për çfarë arsye i kemi nën kontroll të huajt?

FEÇOR SHEHU: Për veprimtari armiqësore, nëse bëjnë.

ENVER HOXHA: Bukur, kur bëjnë punë armiqësore. Po atëherë, me kë e bëjnë ata këtë punë armiqësore?

FEÇOR SHEHU: Natyrisht, me nënshtetasit tanë, me shqiptarët.

ENVER HOXHA: Po shqiptarët ku i gjejnë të huajt, në qiell apo në tokë?

FEÇOR SHEHU: Në tokë.

ENVER HOXHA: Në këto lokale, pra, të huajt piqen me shqiptarë. Këta i keni ju nën kontroll, apo nuk i keni?

FEÇOR SHEHU: Po, i kemi.

ENVER HOXHA: Atëherë, pse më thua që nuk i kemi nën kontroll?

FEÇOR SHEHU: Po edhe këta i kemi nën kontroll kur takohen me të huajt.

ENVER HOXHA: Atëherë?

FEÇOR SHEHU: I kemi nën kontroll po ndonjë të dhënë konkrete për Bashkimin dhe të shoqen unë nuk kam. Kemi konstatuar që frekuentojnë këto lokale dhe kaq…

ENVER HOXHA: Pra, nuk keni ndonjë të dhënë konkrete. Po për të dyshuar dyshoni?

FEÇOR SHEHU: Ne dyshojmë për ata që dyshojmë. Për Bashkim Shehun nuk kemi arritur në përfundimin se bën ndonjë gjë të keqe me të huajt.

ENVER HOXHA: Po të huajt, duke mbajtur ai lidhje me ta, a mund ta futin në ndonjë kurth?

FEÇORR SHEHU: Natyrisht, çdo njeri mund të bëjë një punë të keqe dhe ne, kur ta zbulojmë, do të ndalemi. Po për Bashkimin nuk kemi ndonjë të dhënë.

ENVER HOXHA: Po si mendon ti ta zbulosh një njeri që bën punë armiqësore me të huajt? Ore, më flet mua këtu si punonjës i Sigurimit, apo nuk ke haber fare nga kjo punë? Ti duhet të sigurosh këtë gjë kur sheh që pranë një të huaji, shkon avitet një shqiptar dhe i bën muhabet, ky duhet të jetë sinjali i parë që duhet të shqetësojë punëtorin e Sigurimit, i cili lypet të bëjë pyetjen: ç’lidhje ka ky person me funksionarin e kësaj ambasade të huaj? Atëherë, ti këtë e ndjek. Në qoftë se shkon te ky i huaji dhe një tjetër, bëhen dy sinjale. Atëherë, ndaj këtij njeriu ti vë pikëpyetjen.

FEÇOR SHEHU: Ashtu, patjetër.

ENVER HOXHA: Ky Bashkimi vetëm sa shkon në këto lokale apo edhe takohet me të huajt?

Dokumenti Sekret Enveri Copy
Dokumenti Sekret Enveri Copy

FEÇOR SHEHU: Unë nuk di gjë, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Mirë, shumë bukur. Mirëpo kur të shket këmba, kur të ndodhë një gjë e madhe, njerëzit t’i thonë të gjitha dhe jo në çdo rast të veçantë kur ndodh ndonjë shkelje. Kështu më ngjau mua me djemtë e Mehmetit. Këto gjëra i mësova pasi thirra Mehmetin e pasi kishte përfunduar fejesën e Skënderit. Me këtë rast më folën dhe për djemtë e tjerë. Në këtë rast më kanë folur edhe për djalin tjetër të tij, Bashkimin. Gruaja e tij ka një vëlla që ka goditur një polic në plazh në Durrës, prandaj e arrestuan dhe e dënuan tre muaj. Po ndërhynë dhe e nxorën nga burgu para kohe.

FEÇOR SHEHU: Nuk di gjë për këtë, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Këtë e di gjithë bota. Gruaja e Bashkimit ndërhyri jo vetëm për ta nxjerrë, por dërgoi dhe makinën e grupit të shoqërimit të Mehmetit në degën e brendshme për batanijen, me të cilën ai mbulohej në burg.

FEÇOR SHEHU: E shoqja e Bashkimit e bëri këtë gjë?

ENVER HOXHA: Jo, jo. Vëllai i nuses së Bashkimit, i cili kur u lirua kishte marrë me vete batanijen që i jepet për të fjetur në burg. Shoferi i Mehmetit, me makinën që i shërbente atij, shkoi në degën e Durrësit dhe e dorëzoi këtë batanije. Këto veprime i dini ju? Nuk të kuptoj Feçor. Si nuk të vënë ty në korrent vartësit ç’po bëjnë andej-këtej fëmijët tanë?

FEÇOR SHEHU: Po nuk më njoftojnë shoku Enver, nuk më kanë vënë në dijeni për këto gjëra.

ENVER HOXHA: Pa thirre e pyete një çikë Drejtorin e policisë së Tiranës dhe i thuaj: Çfarë flitet nëpër qytet për Mehmet Shehun dhe për fejesën e djalit të tij?

FEÇOR SHEHU: Po nuk më njoftojnë shoku Enver.

ENVER HOXHA: Po pse të ardhka rëndë ty të vesh t’i thuash drejtorit të Policisë se ç’flitet në Tiranë për djalin e Mehmetit, që u fejua me një vajzë reaksionare? Ta pyesësh ç’ke me të dhe ai ka për detyrë të të informojë. Po kur niseni nga këto konsiderata të gabuara, ai nuk të vjen fare, në vend që t’i kërkosh llogari, përse nuk të ka ardhur të të informojë për një gjë të tillë. Duke mos vepruar kështu, del familjariteti i sëmurë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb