Bledi Strakosha është një emër që ka lënë gjurmë në gazetarinë shqiptare, i cili me stilin e tij unik është pëlqyer dhe ndjekur shumë.

Gazetari ishte i ftuari i dytë në “Dola te Ola”, dhe rrëfimi për të nisi me kujtimet e fëmijërisë, të cilat siç ai tregoi i ka shumë të bukura. Ai u shpreh se ka patur një fëmijëri të qetë dhe zbuloi se ka qenë një fëmijë i tërhequr, të cilit i pëlqente të rrinte më shumë në shtëpi, ku lexonte libra, por më së shumti shikonte televizor.

Bledi tha se familja e tij nuk e donte regjimin e asaj kohe, por as nuk kishte vuajtur prej tij. Ata kishin të ardhura të mira për kohën, pasi babai i tij ka qenë violinçelist në RTSH sapo mbaroi studimet e deri sa doli në pension, ndërkohë që e ëma punonte ekonomiste në bankë.

Shtëpia e Bledit ka qenë nga ato familje të pakta në atë kohë që kishin televizor, pasi gjyshja e tij kishte shkuar te motra e saj në Bari në Itali dhe kishte mundur ta merrte një të tillë. Dhe kush i ka jetuar ato kohë e di mirë, që shtëpi të tilla ktheheshin në kinema për të gjithë njerëzit me të cilët këto familje rrethoheshin. Mbrëmje të tilla ktheheshin në gëzim për familjen dhe miqtë, sepse argëtoheshin e flisnin të gjithë së bashku, siç ndodh gjithmonë e më pak në kohët e sotme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb