Interesante të shohësh se si vetëm pas pak muajsh Agostineli, njeriu që zuri vendin e Starovës në janar të këtij viti në stolin e Partizanit, tani sfidon pikërisht Starovën, por këtë herë si trajner i Skënderbeut. Ajo e nesërmja do të jetë edhe një sfidë strategësh, që kanë shumë diferenca me njëri-tjetrin, por pa dyshim edhe të përbashkëta.

Agostineli ka një karrierë të gjatë në skuadra të ligave inferiore në Itali (përjashto Napolin kur militonte në Serinë C), ndërsa Starova konsiderohet ndër më të suksesshmit në futbollin tonë modest. Por jo vetëm kaq, ai mban mbi supe edhe… ndeshje ndërkombëtare si trajner dhe lojtar.

DIFERENCAT

Starova
Trajner fitues, edhe pse nuk është ndër ata që i mëshojnë spektaklit. Arma e fortë është që i merr maksimumin grupit të lojtarëve që ka në dispozicion.

Autoritar i padiskutueshëm në klubin ku punon (rasti Nexhipi për ilustrim), por edhe një njeri karizmatik që gjithsesi i bën për vete lojtarët.
Starova-skeda

E njeh jashtëzakonisht mirë kampionatin shqiptar dhe jo rastësisht ka fituar tituj si trajner me Partizanin dhe Tiranën, por ka bërë mirë edhe te Teuta e Kukësi kur ka qenë aty në stafin drejtues.

Ka taktikën e njohur: në fillim të shpjegon vendimin që merr dhe nëse nuk bindesh, në fund bëhet si thotë ai…

Lojtarët preferon t’i vendosë në fushë sipas pozicionit që kanë duke evituar maksimalisht eksperimentet.
Starova

Starova bën mirë edhe rolin e drejtorit, Agostineli ende nuk dihet se si ia del në këtë rol…

Starova nuk i kursen kritikat për askënd kur është i bindur se ka të drejtë, ndërsa Agostineli përpiqet gjithnjë t’i shmangë polemikat.

Agostineli
Kërkues, madje shumë kërkues. Fanatik i filozofisë së tij të lojës dhe ndryshe nga Starova ndryshon me vështirësi skemat apo planin që ka për ekipin.

Agostineli-skeda
Diplomat më tepër sesa “Bobi” duke evituar përplasje të mëdha brenda grupit, por ndoshta jo aq fitues sa ai nëse guxojmë të bëjmë krahasime për karrierën e tyre si trajnerë.

Punëtor dhe intuitiv mjaftueshëm për t’ia dalë mbanë në kampionatin shqiptar. CV e varfër në arenën ndërkombëtare si trajner, edhe pse mjaft i njohur si analist sportiv në rrafshin mediatik në Itali. Autoritar (rasti i Mazrekajt te Partizani dhe Latifit kur e la në stol këtë vit), por ndonjëherë nuk ka një plan B po aq efikas.

Ndonjëherë eksperimenton më shumë sesa duhet me pozicionet e lojtarëve (rasti i Fukuit në të djathtë apo zhvendosja e Salihit shumë majtas…).

Një diferencë tjetër me Starovën është se skuadrat e Starovës “të marrin shpirtin” në 20 minutat e para, ndërsa Skënderbeu i Agostinelit “të bën zbor” pikërisht në 20 minutat e fundit.

Agostineli-Skenderbeu-2016-490x327

TË PËRBASHKËTAT

Starova asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë për stilin italian të futbollit, gjë që nuk e mohon dot as Agostineli.

Pra, rregulli numër 1 për të dy: të mos pësojmë dhe pastaj e kemi më të lehtë të fitojmë.

Skuadrat e tyre rrallëherë dhurojnë spektakël.

Kanë aftësinë e padiskutueshme të marrin maksimumin edhe në kushte jo të mira. Agostineli kryeson kampionatin, megjithëse ekipi i tij ka pësuar ndryshime radikale dhe po i ndryshon dukshëm stilin e lojës.

Nga ana tjetër, Partizani me Starovën mori 9 pikë në 10 ditë dhe e shndërroi Ekubanin në yllin e ri të Superiores.

Skema e preferuar është një 4-4-2 “i gënjeshtërt” sepse në fakt skema e tyre shndërrohet shpejt në një 4- 5-1 apo 4-3-3 sipas nevojave. Për ta ilustruar: Salihi shpesh është i vetëm në sulm, me Xhejmsin, Latifin dhe Fukuin që e mbështesin pas shpinës. Po kështu edhe te Partizani i Starovës: Fili në majën e ofensivës, me Ekubanin dhe Vilën nga krahët, ndërkohë që Torasa ndihmon nga qendra…

Të dy bërtasin pafund në pankinë… /panorama/sport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: