Nga: ZONJA KATERINA


1 lakër të bardhë
1/3 filxhan vaj
2 qepë të thata
2-3 qepë të njoma
1 filxhan oriz ose 2 lgj miell misri
1-2 karrota
2 të verdha veze
1-2 kokrra limon
Koper, nenexhik, majdanoz
Kripë, piper


Marrim lakrën dhe nga pjesa e bishtit bëjmë një prerje në formë konike për ta hapur.


Vendosim një tenxhere të madhe me ujë të bollshëm të vlojë dhe vendosim lakrën nga ana e bishtit të hapur. Ulim temperaturën e sobës dhe e lemë lakrën për rreth 10 minuta të zbutet, më pas e largojmë duke e vendosur në një pjatancë që të ftohet.

Ndërkohë përgatisim mbushjen. Grijmë të gjitha perimet në rende dhe i bashkojmë në një enë ku shtojmë erëzat, orizin (ose miellin e misrit) ½ e masës së vajit, kripë dhe piper. Mirë do të ishte që ti lemë perimet të marinohen me njëra tjetrën për rreth 20 minuta.

Më pas marrim gjethet e lakrës një e nga një, largojmë pjesën e trashë të kërcellit dhe vendosim nga 1 lugë mbushje dhe i mbështjellim.

Në fund të një tenxhereje vendosim disa gjethe lakër, 1 qepë të thatë të grirë në rende dhe 1 karrotë të prerë në rrathë të hollë. Vendosim më pas dollmat e përgatitura dhe në fund hedhim ujë të ngrohtë ose lëng perimesh (2 gisht sipër dollmave). Shtojmë dhe pjesën tjetër të vajit dhe e mbulojmë gatimin me një pjatë si dhe me kapakun e tenxheres dhe e lemë të ziejë në fillim në temperaturë të lartë dhe sapo gatimi të fillojë të marrë vale ulim temperaturën në mesatare.

Pasi dollmat të jenë zjerë përgatisim salcën. Rrahim të verdhat e vezëve me lëng limoni. Rregullojmë temperaturën me pak nga lëngu i dollmave, e përziejmë mirë dhe e shtojmë salcën në tenxhere duke e tundur në mënyrë që të depërtojë tek të gjithë dollmat. E lemë gatimin dhe për 5 minuta në zjarr dhe më pas servirim dollmat të ngrohta.
(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb