TIRANE- Ditën e djeshme, bashkësia e qendrës profesionale “Don Bosko” ka protestuar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që u kthen pronarëve 15.000 m2 të territorit ku është ngritur qendra “Don Bosko”, për të ndërtuar pallat.

Në planin pjesor të kësaj zone parashikohet që në këtë truall të ndërtohen pallate 7-katëshe. Në vitin 1992, qeveria shqiptare ia kanë dhënë këtë terren nunciaturës apostolike për një periudhë 49-vjeçare, për të ndërtuar një qendër të forumit kulturor dhe profesional për të rinjtë.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike, dom Gjergj Meta, pjesëmarrës në këtë protestë, veç shtetit i ka bërë thirrje dhe familjes Petrela, të cilëve u është kthyer prona, të mos i prishin këto ambiente.

“Pretendohet se është e familjes Petrela, një nga familjet më të mëdha dhe të nderuara të Tiranës. Këto hapësira të ‘Don Bosko’-s i përkasin gjithë qytetit, prandaj, përveç gjykatësve dhe sistemit gjyqësor, për të cilin shpeshherë kemi bërë kritika, u bëjmë thirrje dhe atyre që pretendojnë të ndërtojnë këtu që të vënë dorën në zemër, sepse kjo na përket të gjithëve”, – thotë Don Gjergj Meta.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: