Nuk luhej më për finalen e Champions League por emocionet ishin po aq të mëdha në aktin e parë të super sfidës Bayern Munich-PSG. Në “Allianz Arena” nën reshjet e dëborës protagonistët ishin thuajse të njëjtë, sigurisht mungonin aktorë të rëndësishëm si Lewandowski, Gnabry, Verrati, Icardi etj por në fushë dy ekipet dhuruan një spektakël ofensiv, pesë gola të shënuar, raste pa fund. Sfida nisi zjarr që në minutat e para ku Choupo-Moting goditi traversën me kokë. Në minutën e 3-të një kundërsulm i shpejtë ideuar nga Neymar nxori Mbappe të vetëm me Neuar, si rrallë herë kapiteni i Bayern gaboi me topin që i flirtoi mes këmbëve duke i dhuruar PSG avantazhin. Gjermanët vijuan me sulm total në portën e Navas por pa mundur të jenë të saktë, në sfida të tilla u ndje pa fund mungesa e Robert Lewandowskit. VAR mban në lojë Bayern duke i anuluar një gol Draxler për pozicion jashtë loje të Mbappe. Kampionët në fuqi “pushtuan” zonën e Navas, ku fillimisht Goretzka e më pas Pavard nuk mundën të dërgonin topin në rrjetë. Pikërisht në momentin më të mirë të Bayern një keq vendosje në zonë, solli dhe golin e dytë të PSG, Marquinhos i vetëm përballë Neuer nuk gaboi. Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 37-të, Choupo-Moting u shërbye në mënyrë perfekte në zonë nga Pavard dhe me kohë ngushtoi shifrat në 1-2.

Ritmi i lojës nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë, PSG flirtoi në dy raste me golin e tretë por në minutën e 60-të ishte Thomas Muller që me kokë vendosi baraspeshën në 2-2. Festa zgjati vetëm tetë minuta teksa Mbappe me një veprim të bukur në zonë riktheu PSG në avantazh. Bayern besoi deri në fund se mund të shmangin në këtë humbje, i shkuan shumë pranë golit të tretë por pa mundur të mposhtin Navas. Në fund, PSG feston për këtë sukses të madh, të thyesh Bayern 2-3 në shtëpi është diçka që nuk ndodh shpesh.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb