TIRANË- Ambasadori amerikan në largim Donald Lu si dhe zëvendës ambasadorja e re e SHBA-ve Leyla Moses Ones kanë zhvilluar një takim dje me Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku.

Mësohet se gjatë takimit Prokurorja e Përgjithshme dhe zyrtarët amerikanë theksuan rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori Lu vlerësoi maksimalisht rolin, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e Prokurorit të Përgjithshëm Arta Marku, në një periudhë të rëndësishme për zbatimin e legjislacionit të ri të reformës në drejtësi.

Prokurorja e Përgjithshme i uroi punë të mbarë zotit Lu në detyrën e re dhe çmoi rolin e tij dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara për promovimin, hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi.

Njëkohësisht, Marku i uroi mirëseardhjen në Shqipëri zëvendësambasadores së re znj. Leyla Moses-Ones, duke theksuar vendosmërinë për thellimin e punës së përbashkët për të ardhmen, në luftë kundër kriminalitetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb