Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për t’i anuluar lehtësimet e përkohshme që ua kanë mundësuar disa vendeve të vazhdojnë të blejnë naftë iraniane pa shkelur sanksionet amerikane është goditja fatale për mullahët, shkroi të enjten ish-ligjvënësi europian Struan Stevenson për United Press International.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka shpjeguar se ky vendim është marrë për ta “privuar regjimin e paligjshëm nga fondet që ka përdorur për të destabilizuar Lindjen e Mesme.”
Javën e shkuar, Shtetet e Bashkuara shpallën gjithashtu se e kishin shtuar Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të regjimit iranian në listën e organizatave të huaja terroriste. IRGC kontrollon pothuajse 90 për qind të ekonomisë iraniane, kështu që do të jetë virtualisht e pamundur për këdo që të bëjë tregti me Iranin pa shkelur sanksionet amerikane apo pa u përballur me penalitete të rënda për bashkëpunim me një organizatë të listuar terroriste, shkruan Stevenson.

Stevenson shton: “Tani po u bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara që të bëjnë të njëjtën gjë për Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë, rrjetin e spiunëve dhe vrasësve përgjegjës për sulmet terroriste jashtëterritoriale.

“Në dhjetor, Kryeministri shqiptar Edi Rama përjashtoi ambasadorin iranian dhe sekretarin e tij të parë me argumentin se ata përbënin rrezik për sigurinë shqiptare. Edhe një herë, këta të ashtu-quajtur diplomatë u ekspozuan si agjentë të trajnuar të MOIS të cilët kishin komplotuar për sulme me bomba dhe vrasje të kundërshtarëve të regjimit në Shqipëri. Ka një kërkesë gjithnjë në rritje që ambasadat e Iranit, të cilat është e qartë se përdoren si fabrika bombash e qeliza terroriste, të mbyllen në të gjithë Bashkimin Europian.”

Stevenson vuri në dukje se iranianëve u ka ardhur në majë të hundës represioni dhe brutaliteti që janë detyruar të vuajnë për katër dekada nën diktaturën fashiste mesjetare. Ata e kanë parë se si mullahët pleq, mjekroshë e misogjinistë e kanë pasuruar veten përmes korrupsionit duke sponsorizuar ndërkohë terrorizmin ndërkombëtar dhe luftërat proksi.

Stevenson shkruan: “Mullahët u janë përgjigjur protestave duke dërguar IRGC-në, ekuivalentin e tyre të Gestapos, për të arrestuar mijëra demonstrues, të cilët dënohen me burgime të gjata. Disa prej tyre janë torturuar deri në vdekje.”

“Rreth 80 milion iranianë e kanë humbur frikën. Ata e kanë parë se si politika e paqësimit e administratës Obama dhe aleatëve të tij të BE-së i është dorëzuar koshave të plehrave të historisë. Ata janë të etur për lirinë, drejtësinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, heqjen e dënimit me vdekje, marrjen fund të kërcënimit bërthamor dhe restaurimin e një demokracie laike që po ofrohen nga lëvizja kryesore dhe më e organizuar e rezistencës, Mojahedin e-Khalq (MEK) dhe udhëheqësja e opozitës, Maryam Rajavi.”

“Njësitë e rezistencës së MEK janë tashmë aktive në çdo qytet të madh apo të vogël të Iranit, duke planifikuar e nxitur protestat nëpër rrugë dhe duke shfaqur gjithnjë e më shpesh postera të Rajavi-t dhe grafiti në mbështetje të MEK, duke vënë në rrezik të madh jetët e tyre. Popullsia iraniane tani e kupton se ka mbështetje në Perëndim. Njerëzit e dinë se administrata amerikane do të vazhdojë të ushtrojë presion derisa ky regjim i lig të zëvendësohet dhe paqja e stabiliteti në Lindjen e Mesme e në mbarë botën të mund të rikthehen,” shkruan Stevenson.
Struan Stevenson ka shërbyer si anëtar i Parlamentit Europian ku ka përfaqësuar Skocinë (1999-2014), dhe si president i Delegacionit të Parlamentit për Marrëdhëniet me Irakun (2009-14). Ai është lektor ndërkombëtar mbi Lindjen e Mesme dhe president i Shoqatës Europiane për Lirinë e Irakut.

Upi
Upi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb