Presidenti Donald Trump të enjten dënoi mbështetësit e tij të dhunshëm që sulmuan Kapitolin të mërkuren dhe pranoi humbjen ndaj rivalit të tij demokrat, Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një video-mesazh të ri, Presidenti Trump tha se tani që Kongresi ka certifikuar rezultatet, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe rregullt të pushtetit”.

Ai gjithashtu foli kundër dhunës në Kapitol, duke e quajtur atë një “sulm të neveritshëm”. Presidenti Trump tha se ishte i “zemëruar nga dhuna, si dhe shkelja e ligjit dhe rendit”.

Zoti Trump nuk foli mbi rolin e tij në nxitjen e dhunës. Por ai u tha mbështetësve të tij se, ndërsa ai e di se ata janë “të zhgënjyer”, ai dëshiron që ata ta dinë se “udhëtimi ynë i jashtëzakonshëm sapo ka filluar.”

Kjo përbën një ndryshim qëndrimesh për zotin Trump, i cili është përballur me thirrje në rritje për dorëheqje ose shkarkim nga detyra pas trazirave të dhunshme të së mërkures në Uashington. Presidenti Trump për dy muaj ka këmbëngulur se ai i kishte fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, të shoqëruara me manipulime dhe parregullsi, pa dhënë prova.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer i bënë thirrje Nënpresidentit Mike Pence të heqë nga detyra Presidentin Trump në bazë të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili lejon anëtarët e kabinetit të rrëzojnë një president kur konsiderohet i paaftë për postin./VOA

Fjalimi i plotë i Donald Trump:

Unë do të doja të filloja duke adresuar sulmin e egër ndaj Capitol-it të Shteteve të Bashkuara. Si të gjithë amerikanët, edhe unë jam i indinjuar nga dhuna, paligjshmëria dhe sakatimi.

Unë menjëherë vendosa Gardën Kombëtare dhe zbatimin e ligjit federal për të siguruar ndërtesën dhe për të dëbuar ndërhyrësit. Amerika është dhe duhet të jetë gjithmonë një komb i rendit dhe ligjit.

Demonstruesit që u infiltruan në Capitol kanë ndotur “selinë e demokracisë amerikane”. Për ata që u përfshinë në akte dhune dhe shkatërrimi, ju nuk e përfaqësoni vendin tonë. Dhe atyre që shkelën ligjin, ju do të paguani.

Sapo kemi kaluar zgjedhje intensive dhe emocionet janë të larta. Por tani temperamenti duhet të “ftohet” dhe të rivendoset qetësia. Ne duhet të vazhdojmë me punët e Amerikës.

Ekipi im i fushatës ndoqi me forcë çdo rrugë ligjore për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve. Qëllimi im i vetëm ishte të siguroja integritetin e votës.

Duke vepruar kështu, unë po luftoja për të mbrojtur demokracinë amerikane.

Unë vazhdoj të besoj fuqimisht se ne duhet të reformojmë ligjet tona zgjedhore për të verifikuar identitetin dhe përshtatshmërinë e të gjithë votuesve dhe për të siguruar besimin në të gjitha zgjedhjet e ardhshme.

Tani, Kongresi ka vërtetuar rezultatet. Një administratë e re do të inaugurohet në 20 Janar. Fokusi im tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe të qetë të pushtetit.

Ky moment kërkon shërim dhe pajtim. 2020 ka qenë një kohë sfiduese për njerëzit tanë. Një pandemi kërcënuese ka shkatërruar jetën e qytetarëve tanë, ka izoluar miliona në shtëpitë e tyre, ka dëmtuar ekonominë tonë dhe ka marrë jetë të panumërta.

Mposhtja e kësaj pandemie dhe rindërtimi i ekonomisë më të madhe në tokë do të kërkojë që të gjithë ne të punojmë së bashku. Do të kërkojë një theks mbi vlerat qytetare të patriotizmit, besimit, bamirësisë, komunitetit dhe familjes.

Ne duhet të ringjallim lidhjet e shenjta të dashurisë dhe besnikërisë që na lidhin së bashku si një familje kombëtare.

Për qytetarët e vendit tonë, shërbimi si president juaj ka qenë nderi i jetës time.

Dhe për të gjithë mbështetësit e mi të mrekullueshëm, unë e di që ju jeni të zhgënjyer, por gjithashtu dua që ju të dini se udhëtimi ynë i pabesueshëm sapo ka filluar. Faleminderit, Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Amerikën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb