Twitter ka bllokuar llogarinë e zëdhënëses së guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis për shkeljen e rregulloreve kundër “sjelljes abuzive” pasi agjencia e lajmeve Associated Press tha se sjellja e zyrtares bëri që një gazetar të bëhej objekt kërcënimesh e mesazhesh fyese.

Ndihmësja e zotit DeSantis, Christina Pushaw, nuk do të jetë në gjendje të përdorë Twitterin për 12 orë, tha një zëdhënëse e kompanisë.
Më parë të premten, një zyrtare e agjencisë së lajmeve i shkroi zyrës së zotit DeSantis që t’i kërkonte ndihmëses të ndalte “sjelljen abuzive”.

“Ju (Twitter) nuk lejoni sekretaren e shtypit të një zyrtari të zgjedhur të komentojë në Twitter, por lejoni talebanët të postojnë komente që morën Afganistanin?” shkruante zonja Pushaw, duke shtuar se korporatat e fuqishme teknologjike shpesh u mbyllin gojën atyre që sfidojnë reflektimin falso të realitetit.

Zonja Pushaw hodhi poshtë akuzat se kishte nxitur pasuesit e saj të vinin në shenjestër gazetarin, megjithëse kishte ripostuar në llogarinë e saj një artikull të gazetarit, duke i shtuar komentin “vëreni përpara”. Komenti tani është fshirë.

Ajo kishte kundërshti ndaj një artikulli të gazetarit Brendan Farrington që raportonte se një ndër donatorët e fuqishëm të guvernatorit ishte investitor në kompaninë që prodhon ilaçin Regeneron kundër COVID-19, të cilit Guvernatori DeSantis i ka bërë shumë reklamë.

Ajo kishte shkruar se nëse ai nuk ndryshonte artikullin ajo “do ta demaskonte publikisht”. Më pas ajo tha se komentet nuk ishin me qëllim për të nxitur kërcënime dhe sapo kishte mësuar se gazetari ishte shenjestruar kishte bërë thirrje të ndalte kjo sjellje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb