I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Donjaldo Hoxha, nga Industria e Përpunimit të qumështit ka folur për rënien e prodhimit vendas, vështirësitë e fermerëve dhe mungesën e mbështetjes në krahasim me vendet e rajonit.

“Kontrolli mungon sidomos tek qumështi që shitet në rrugë, për ta garantuar kështu sigurinë ushqimore. Qumështin e kemi çdo ditë të tregtuar në rrugë. Etiketimi në paketim masiv arrin deri tek supermarketet. Subjekti e ka për detyrë etiketimin, por edhe konsumatori duhet ta kërkojë. Vaji i palmës nuk është i lejuar te salca e kosit, ato që e kanë emërimin nuk janë salca kosi. Pastaj nëse përdorim produkte të ngjashme që i vihen emërtimet nga më të ndryshmet, atëherë duhen lexuar etiketat. Me Ministrinë e Bujqësisë kemi nevojë të domosdoshme për bashkëpunim, pasi në këtë mënyrë do ta ndihmojmë konsumatorin ta kalojë këtë situatë. U gjendëm në vështirësi, kostot në industrinë tonë vazhdojnë edhe shtohen. Së pari, jemi të lidhur me blegtorinë, fermerin, nëse ky i fundit nuk merr mbështetjen e duhur nga Ministria e Bujqësisë, kjo do reflektohet në çmimet finale tek produktet tona. Nga ana tjetër, gruri dhe lëndët e para janë rritur dhe kostot janë shtuar.

Ndërhyrja e Ministrisë së Bujqësisë është e domosdoshme dhe e menjëhershme. Skemë kombëtare që ta mbështesë blegtorinë sa rajoni, që t’ju jepet mundësia të konkurrojë me çmimin e qumështit. Dhe së dyti, jemi i vetmi sektor që bashkë me ata që përpunojnë produktin shqiptar dhe tregtojnë brenda Republikës së Shqipërisë që e marrin me 6% dhe e shesin me 22%. Është e domosdoshme barazimi i TVSH dhe shkuarja e saj në 6%. Aktualisht çmimet janë në të njëjtat ritme që kanë qenë është bërë maksimumi i industrisë për të ruajtur këto çmime, ndaj është e domosdoshme ndërhyrja e Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje përmes skemës kombëtare. Në krahasim me rajonin nuk kemi mbështetje, ka rënë prodhimi i qumështit vendas, fermerit shqiptar i janë vështirësuar kushtet, që nga lënda e parë, ndërsa përballet edhe me konkurrencën e importit”-deklaroi Donjaldo Hoxha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb