TIRANË
Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka komentuar sot në rubrikën “Opinion” në News24 zhvillimet në Kosovë dhe sulmin terrorist në Banjska, nga i cili u vra një efektiv i policisë së Kosovës.
Mustafaj tha se fillimi ka qenë shumë shqetësues dhe se prania e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiç tregoi tentativën për të bërë të sjellë destabilizim si në Ukrainën Lindore.
“E kam ndjekur me shqetësim të madh. Nuk isha i sigurt se policia e Kosovës do ishte e aftë ta zotëronte situatën siç e zotëroi dhe t’i jepte zgjidhjen që i dha. Tani është shumë lehtë për analiza, por fillimi ka qenë mjaft shqetësues.
Radojçiç ka treguar në mënyrë të vazhdueshme se është njeriu kyç i Vuçiçit për ta bërë realitetin në Veri të Kosovës një vatër e cila do mund të krahasohej në embrion me Donbasin, për të krijuar analogji me Ukrainën Lindore”, tha Mustafaj.
Sa i përket deklaratës së Kurtit se Vuçiç dëshironte që më 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës pasi në takimin e 2 majit në Bruksel tha që Milan Radojçiç do të bëhet Adem Jashari i serbëve, Mustafaj deklaroi se ky paralajmërim nuk është marrë seriozisht nga BE.
“Shumë shqetësues si postim, po të kemi parasysh se i referohemi një takimi ku kanë qenë prezent dhe përfaqësues të lartë të BE. Në këtë kuptim me dëshmitarë Vuçiç bën një deklaratë të tillë, e cila nuk mund të vihet në diskutim, nëse është thënë kjo gjë, është një paralajmërim i cili nuk është marrë seriozisht nga BE. Është marrë seriozisht nga shërbimet sekrete të vendeve partnere.
Ajo që tha gjatë verës dhe përsërit kryetarja e komisionit të jashtëm të parlamentit britanik se po kontrabandohen armë sigurisht është burim i shërbimeve sekrete.
Kurti ka ngritur vazhdimisht problemin se Serbia është pas destabilizimit në Veri. Nuk është marrë me shqetësim dhe seriozisht nga SHBA dhe BE dhe në mënyrë të zhbalancuar presioni ka qenë mbi Kurtin.
Kjo tregoi se Serbia dhe institucionet e saj janë ekzekutuesve të një politike destabilizuese. Kjo gjë i forcon pozitat Kurtit. Nuk do të mjaftojë që bashkësia ndërkombëtare të heqin dorë nga presioni për t’u ulur në negociata”, tha Mustafaj.
Ai i cilësoi reagimet e kryeministrit Edi Rama pa koherencë dhe deklaratën e djeshme me gjuhë parapolitike.
“Më janë dukur pa koherencë. Ka kuptuar një gjë që nuk ka ndikim mbi institucionet e Kosovës. Kjo humbje e ndikimit pozitiv mbi institucionet e Kosovës është e pashembullt. Është pasojë e një politike në vazhdimësi që Rama ka mbajtur ndaj Kosovës. Realisht nuk ka qenë politika që duhet të ndjekë Shqipëria. Rama e para reagoi me shumë vonesë, pasi kishte dalë dhe km Kurti në konferencë. Pasi ngjarjet kishin hyrë në rrugët e zgjidhjes, ishin 3 të vrarë, ishin rrethuar terroristët. Dalja me idenë e konferencës është një tentativë tjetër e kryeministrit për të dalë protagonist. Askush nuk e ka mbështetur këtë ide. Një konferencë e tillë i jep avantazh Vuçiçit.
Reagimi i tij për shpalljen e zisë nga Beogradi ishte me vend, pak folklorik, por me vend. Është gjuhë parapolitike, folklorike. Ideja e Ballkanit të Hapur ishte e shkatërruar. Shpallja e zisë është marrje në mënyrë de fakto nga ana e Serbisë e përgjegjësisë. Që në konferencën e parë Vuçiç i quan tanët.
SHBA-ja ka qenë korrekte me deklaratat që në momentin e parë. Ambasadori ka deklaruar sulm terrorist, ka kërkuar vënien e autorëve para përgjegjësisë”, tha Mustafaj.
Sa i përket ndërmjetuesit Lajçak, ai tha se nuk duhej caktuar.
“Unë besoj se Lajçak nuk duhej caktuar. Lajçak është në origjinë të refuzimit nga Sllovakia të pavarësisë së Kosovës, pasi ka qenë ministër i Jashtëm kur është shpallur pavarësia”, u shpreh ai.
Për Mustafajn ajo që ndodhi në manastirin e Banjskës është një dështim për qeverinë e Vuçiç.