Prestige ka siguruar mbrëmjen e djeshme një sukses të dyfishtë në kampionatin e futbollit “5×5” që organizohet nga FSHF-ja. Si ekipi i parë, ashtu edhe skuadra B, regjistruan fitoren e radhës në këtë kompeticion duke bindur me lojë dhe rezultate.

Prestige vazhdon ecurinë me pikë të plota në Grupin 6 në zonën e Tiranës, teksa dje koleksionoi goleadën e radhës duke mposhtur me rezultatin dyshifror 11-1 skuadrën Luem.

Një ndeshje e dominuar në të gjitha drejtimet nga Prestige, që e kthehu këtë sfidë më tepër në një takim stërvitor. Diferencat e jashtëzakonshme në fushë i konfirmon vetë rezultati, ndërsa rivalitet pati disi vetëm në pjesën e parë.

Kështu, serinë e golave e hapi Neziri, më pas ishte Gjoni që dyfishoi. Luem ngushtoi me anë të një kundërsulmi, por menjëherë Prestige riktheu qetësinë me Nezirin që realizoi të tretin.

Në fillimin e pjesës së dytë shpërthen Shaqe me 4 gola radhazi. Fillimisht realizon me një gjuajtje të fortë diagonale. Më pas shfrytëzon saktë dy asiste në perfeksion, të Hysenbelliut.

Është sërish Hysenbelliu që gjuan fort në shtyllën e dytë me Shaqen që tregohet i vëmendshëm për ta dërguar sferën në rrjetë duke gjetur kështu edhe golin e katërt personal për ta thelluar në 8-1 avantazhin.

Hysenbelliu vijon serinë e asisteve, teksa këtë herë shërben për Gjonin, me këtë të fundit që fluturimthi shënon golin e nëntë. Rezultatin dyshifror e rrumbullakos Hysenbelliu me një aksion të bukur personal, ndërsa në fund është Shima që vulos fitoren 11-1, me Prestige që bën detyrën duke likuiduar kështu edhe kundërshtarin e radhës.

PRESTIGE B- Para ndeshjes së skuadrës së parë, në fushë zbriti Prestige B, që gjithashtu bëri një paraqitje mjaft të mirë. Me të njëjtën filozofi loje dhe me një futboll dominues, Prestige B triumfoi 5- 1 ndaj skuadrës Old Friends në takimin e vlefshëm për Grupin 2.

Njeriu i ndeshjes ishte Vasha, protagonist me 4 gola, ndërsa rrugën e rrjetës e gjeti gjithashtu edhe Hysko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb