Është e frikshme përgjegjësia e qeverisjes së 60 bashkive, nga 61 bashki që kemi. E ka marrë përsipër të plotë partia që kemi sot në pushtet, në qendër dhe në periferi, Partia Socialiste. Më 30 qershor 2019, pushteti vendor i ngeli i gjithi asaj, sikurse të ngel dopio gjashta në një lojë dominosh. Kështu erdhën rrethanat dhe i erdhi ky pushtet i pamatë dhe i pazakonshëm. Nuk është se këtë kërkonte si forcë politike. Mirëpo kjo parti, nën presionin dhe frikën e kobeve që përfliteshin të ndodhnin në atë datë (gjakderdhje masive nëpër qendra votimi), në të 30 ditët e majit 2019 ndërmori një fushatë që vetëm fushatë zgjedhore nuk mund të quhej. Diçka mes euforisë së fshehur keq për shansin e dhënë të fitimit të të gjitha bashkive pa garë dhe pasigurisë se ç’mund të ndodhte më 30 qershor. Mungoi analiza e thellë dhe e sinqertë e punës së bërë deri tani nga drejtuesit e saj vendorë. Nuk dëgjuam një qytetar të vetëm të dilte në takime dhe të denonconte apo diskutonte për çfarë kishte shkuar keq apo shumë keq (ka me mijëra raste të tilla) në qeverisjen e mëparshme të socialistëve. Takimet nuk i lanë asgjë spontanitetit. Mungoi autokritika për gabimet (po i lëmë mënjanë fajet) e bëra gjatë katër viteve (2015-2018) të qeverisjes së shumicës së bashkive nga të zgjedhurit e kësaj partie. Çdo takim i kandidatëve socialistë për katër vitet e ardhshme ishte një paradë suksesesh të arritura në katër vitet e kaluara (aty ku kishin qeverisur) dhe premtimesh të bujshme për çfarë do të bëhej në katër vitet 2019-2022. Munguan platformat me premtimet e shkruara dhe mundësisht të botuara në median e shkruar të kandidatëve, me plane të detajuara për ndryshimin që do të sillnin dhe ku do t’i gjenin paratë. Munguan shifrat konkrete dhe të fiksuara në dokumente (letër), nga ku do të mund të matej dhe peshohej puna në krahasim me premtimin.

Tani, me 60 bashkitë për të qeverisur, kjo parti nuk ka një etalon ku të matet dhe asnjë pasqyre kritike ku të shihet. Ka vetëm ndjeshmërinë e të parit të saj, që do ta ketë shumë të vështirë të orientohet në morinë e problemeve të sotme dhe të mbartura të qeverisjes vendore. Në borxhin vendor (detyrimet e papaguara biznesit dhe borxhi tatimor-detyrimet e pambledhura) që i ka kaluar 130 milionë eurot. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, për vitin 2018, vetëm borxhi tatimor i 31 bashkive të audituara ishte 7.7 miliardë lekë ose 63 milionë euro) dhe detyrimet e papaguara 3.6 miliardë euro ose 29 milionë euro. Këto detyrime rrezikojnë për falimentim jo pak bashki. Borxhi vendor që ka tërhequr shqetësimin jo vetëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që e ka quajtur një mine lundruese në financat tona publike, pse është në rritje të vazhdueshme. Bashkitë e kanë kronike përqindjen e ulët skandaloze të arkëtimit të taksave vendore. Sidomos të asaj mbi pasurinë. Bashkitë dallohen për armatën e parregullsive të tenderave vendorë. Për mish-mashin e regjistrimit dhe kontrollit të pronave të ish-komunave. Të gjitha këto (dhe shumë të tjera) parregullsi në qeverisjen vendore ndikojnë drejtpërsëdrejti me cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. Të na rrojnë përbetimet dhe entuziazmi punëbërës i drejtuesve të rinj. Pushteti vendor është ai që ka kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin. Suksesi i rasteve individuale të problemeve të qytetarëve, të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes nuk mund të mbulojë mangësitë në të gjithë sistemin e qeverisjes vendore.

Qeveritarët vendorë socialistë janë pa kurrfarë pasqyre kritike të veprimeve që do të kryejnë në drejtimin e zyrave që ju janë besuar. Jeta parlamentare vendore nuk mund të ekzistojë me këshillat bashkiakë njëngjyrësh. Socialistëve u duhet urgjentisht të shpikin një oponencë, pse këtë nuk mund ta bëjnë “mes vedit”, sado të përgjegjshëm të duan të jenë. Ndoshta me orientim nga lart, të 60 kryebashkiakët mavi duhet të ftojnë të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile të bashkisë ku janë drejtues.

T’i nxisin të shndërrohen në pjesëmarrës të përhershëm të mbledhjeve të këshillave bashkiakë. T’u japin atyre të drejtë diskutimi pa kufizim dhe regjistrimi ankimimesh dhe mosrënie dakord para dhe gjatë votimeve të këshillave vendorë. T’i informojnë gjerësisht për programin e buxhetit dhe investimeve të bashkisë. Kjo oponencë-opozitë bashkiake, edhe pse surogato, është e domosdoshme të krijohet. Për të mos i lënë drejtuesit socialistë të shndërrohen në pashallarë vendorë. Të ngjashëm me dinozaurët rozë të rikonfirmuar në drejtimin e bashkive për tri ose katër mandate radhazi në dy dekadat e mëparshme, që ishin vërtet hambar votash dhe influence, por me çfarë çmimi mbi interesat vendore të qytetarëve! Tani, me opozitën e vendit jashtë ndërtesave të bashkive, janë të gjitha rreziqet që dinastia e pashallëqeve të rikrijohet, nëse këta drejtues të sotëm nuk do të jenë gati çdo ditë të përballen me llogaridhënien e kërkuar nga shoqëria civile vendore. Për fat të keq, kjo e fundit është gati inekzistente në disa rrethe, rajone dhe bashki të vogla e të largëta. Por duhet krijuar, nxitur, forcuar. Ndoshta edhe donatorët na japin një dorë ndihmë në këtë hall që na gjeti. Mungesa e opozitës reale në qeverisjen vendore mund të jetë fatale për cilësinë dhe përgjegjshmërinë e 60 kryebashkiakëve socialistë. Në lojë janë 1.2 miliardë euro, që shpenzojnë çdo vit të 61 bashkitë nga paratë e Buxhetit të Shtetit dhe të vetat, si dhe shërbimi ndaj 2.8 milionë qytetarëve të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb