Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Ilir Metën, pas përmbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

I pyetur në emisionin ‘Open’ nëse kjo është një nga fushatat më të tensionuara pas vitit 1997, Rama tha se Meta është hedhur pa parashutë nga dritarja e Presidencës dhe është burimi më i madh i rritjes së tensionit.

“Jo nëse nuk do të konsideroja komponentin absurd që ka fushata, Ilir Meta i hedhur pa parashutë nga dritarja e zyrës në Presidencë mu në mes të fushatës që është burimi më i madh dhe më i pranishëm i rritjes së tensionit dhe sigurisht nëse nuk do të konsideroja dhe këtë që ndodhi në fund që është rezultat i kësaj strategjie tensioni i projektuar nga Ilir Meta dhe Sali Berisha”, tha Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se Meta u zgjodh president, duke pasur parasysh karrierën e tij, karakterin e tij flirtues me të dyja palët, por dhe faktin që ai ishte i vetmi njeri që fliste me të gjitha palët.

“Ilir Meta nuk është zgjedhur president nga unë dhe PS, është zgjedhur nga votat e tij. Ka qenë një zgjedhje e imponuar nga numrat, por e arsyetuar, duke pasur parasysh karrierën e Ilir Metës, karakterin e tij flirtues me të dyja palët, por dhe faktin që ai ishte i vetmi njeri që fliste me të gjitha palët. Kam qenë i bindur që ne do t’i fitonim zgjedhjet vetëm dhe Meta do të kishte një moment nga ato të rrotullimit të hënës. Ky është gazi i botës, është turp kombëtar, turp shoqëror. Është një i dehur që po bën rolin. Hajde të ftoj këtu, po nuk do këtu, shkojmë te një televizion tjetër. Po ç’është ky hall i madh ore, Shqipëria me këtë dordolec more”, shtoi kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb