Deputeti Tomorr Alizoti, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24, mes të tjerash foli edhe mbi procesin e Primareve, sidomos për Tiranën.

Ai e quajti aktin e tërheqjes së kandidatit Ilir Alimehmeti, duke mundësuar kështu zyrtarizimin e kandidaturës për kryebashkiakun e Tiranës nga opozita, Belind Këlliçi, fisnikëri dhe leksion për PD-në.

“Primaret janë diçka shumë e mirë në koncept por mos prisni të jenë perfekte që në herën e parë. Primaret prodhojnë garë e vënë në akth edhe kandidatin, si herë e parë ka probleme.

Në politikë po nuk pati Primare e gara kthehet në parti burokratike.

Natyrisht që ka probleme, por në rastin e Tiranës, për herë të parë futën një njeri fisnik nga shoqëria civile në politikë. Të gjithë kanë hyrë nëpërmjet kryetarit të partisë, ashtu si edhe unë. E pash gjestin e zotit Alimehmeti si fisnikëri.

Akte të tilla e pasurojnë politikën shqiptare dhe kriza në PD është se nuk tërhiqet asnjëri. Ai i dha një leksion PD.

Do të doja të unifikoheshin përballë garës që vjen jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Demokratët duhet të kapërcejnë veten, Shqipëria është shumë më keq se në 2013.

Qeveria nuk prodhon politikë, ka një nivel artikulimi që ministrat kur lexojnë fjalimin lexojnë edhe emrin e tyre në fjalime. Është tmerr të dëgjosh fjalimet në Kuvendin shqiptar. Kaos i parregullt”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb