Rishi Sunak është një nga kandidatët për postin e liderit të konservatorëve dhe kryeministrit të Britanisë.

Me anë të një postimi në Twitter, ai ka deklaruar kandidaturën e tij për të qenë në krye të Partisë Konservatore dhe si kryeministër i vendit.

Sunak, i cili më parë ka mbajtur një post të rëndësishëm në kabinetin e Johnson gjatë pandemisë, ka treguar historinë e familjes së tij dhe arsyet se përse ka zgjedhur të hyjë në politikë dhe tashmë të kandidojë për postet e rëndësishme.

“Lejomëni t’ju tregoj historinë e një vajze të re, e cila ka ndodhur shumë kohë më parë.

Ajo udhëtoi në një avion e armatosur me shpresën për një jetë më të mirë dhe me dashurinë për familjen e saj.

Kjo e re erdhi në Britani ku edhe gjeti një punë por iu deshën më shumë se një vit që të kursente pak para, në mënyrë që të mundësonte që bashkëshorti dhe fëmijët të vinin në Britani.

Një nga fëmijët e saj ishte mamaja ime, e cila në atë kohë ishte 15-vjeçe.

Mamaja ime studioi shumë dhe u diplomua në Fakultetin e Farmacisë.

Më pas ajo takoi babanë tim dhe aty nisi historia ime.

Familja është gjithçka për mua dhe ata më dhanë mundësitë të cilat ato mund vetëm t’i ëndërronin.

Por ishte Britania, vendi ynë, që u dha atyre dhe miliona të tjerëve si ata mundësinë për një të ardhme më të mirë.

Hyra në politikë sepse dua që gjithkush në këtë vend të ketë të njëjta mundësi dhe të jetë i aftë ti ofrojë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë.

Vendi ynë përballet me sfida të mëdha, më seriozet e gjeneratës sonë.

Dhe vendimet që ne marrim sot do të vendosin nëse gjenerata e ardhshme e britanikëve do të ketë një mundësi për një jetë më të mirë.

Dikush duhet të kapë momentin dhe të marrë vendimet e duhura.

Kjo është edhe arsyeja se përse jam duke kandiduar si lideri i ardhshëm i Partisë Konservatore dhe Kryeministri juaj.

Dua ta drejtoj këtë në drejtimin e duhur”, thuhet në videon e shpërndarë nga Sunak në Twitter.

Sunak dha dorëheqjen nga posti i tij ministror të martën në mbrëmje, vetëm pak çaste pasi Sajid Javid u largua nga posti i sekretarit të shëndetësisë.

Gara për udhëheqje pritet të jetë një nga më të hapurat në historinë e fundit me rreth 16 kandidatë që po shqyrtojnë mundësinë.

Ndër emrat të cilët pritet të kandidojnë, janë Liz Truss, Sajid Javid, Ben Wallace, Nadhim Zahawi dhe Jeremy Hunt. Suella Braverman dhe Steve Baker kanë deklaruar tashmë kandidaturat e tyre.

Midis atyre që mendohet gjithashtu se po shqyrtojnë një ofertë janë Priti Patel, sekretari i brendshëm, Jake Berry, kreu i Grupit Kërkimor Verior të deputetëve konservatorë dhe Kemi Badenoch, një ministre e vogël dhe yll në rritje në parti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb