Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e sotme në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit, teksa komentoi dhe një episod në kampin e PS-së.

Berisha përmendi largimin nga detyra si kreu i PS-së në Rubik të Pal Tushajt, i cili pati komentet e tij për kandidatin e socialistëve për bashkinë Mirditë, Ndrec Deda.

Përpara mbështetësve të tij Berisha citoi arsyet e dhëna nga Tushaj për largimin, teksa përmendi se Deda nuk përfill strukturat e PS-së dhe e trajton Mirditën si të dorës së dytë duke punuar me kohë të pjesshme dhe se ky i fundit bën fushatë me persona me precedentë kriminalë dhe emërime klienteliste.

“Nëse vazhdojmë me këto ritme nuk i dihet sa njerëz do mbeten në Shqipëri. Shqipëria po shpopullohet në mënyrën më të frikshme.

Sot kreu i PS në Rubik dha dorëheqjen sepse tha që kandidati i emëruar për bashkinë Mirditë, Ndrec Deda, vjen në punë me kohë të pjesshme dhe nuk përfill strukturat e PS-së. Ai bën fushatë me njerëz me precedentë penalë dhe nuk merr parasysh partinë. Kriter kryesor është të kesh dy emra e dy mbiemra për të shpërblyer zotin Ndrec. E lexova këtë sepse kemi detyrim madhor të ulemi me çdo shqiptar e të bisedojmë. Zgjedhjet janë vendore, por zgjedhjet janë më të rëndësishmet pas atyre të vitit 1992”, tha Berisha ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: