TIRANE –Dorëheqja e ministrit Nasip Naço ka vënë në lëvizje mazhorancën. Kreu i LSI-së, njëherësh kreu i Kuvendit, Ilir Meta është parë në zyrën e kryeministrit Rama rreth orës 15:00. Pas përfundimit të takimit në Kryeministri, Meta ka konsumuar një kafe me dy nënkryetarët e LSI-së, Petrit Vasili dhe Ylli Manjani në hotel “Rogner”.

I pyetur nga gazetarët rreth dorëheqjes së zotit Naço, kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi aktin e dorëheqjes së ministrit, duke e cilësuar si një akt qytetar.

Kreu i LSI-së vlerësoi kontributin e ministrit Naço për reformat, ndërsa siguroi se emri që do të propozojë kryeministri për drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë.

  1. Naço dha dorëheqjen si Ministër i Drejtësisë. Kush do të jetë pasuesi i tij?

Lidhur me pyetjen tuaj, më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së Ministrit te Drejtësisë z. Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht me këtë akt,  ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë.

Kur thoni se duhet çuar përpara reforma, me këtë po zbardhni një pjesë të letrës së z. Naço? Burime tona flasin se z. Nasip Naço është shprehur se është i përjashtuar nga reforma në drejtësi. Është anashkaluar si institucion por dhe si individ…

Unë nuk e di. Ju mund t’i drejtoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë për të zbardhur letrën e z. Naço. Unë jam për të gjykuar politikisht veprimin e tij dhe natyrisht që besoj se emri i ri që do të propozojë Kryeministri, do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri.

Do të vijë nga LSI? A është z. Manjani?

Nuk dua të shpreh më shumë dhe nuk do të vij më tek Rogneri të pi kafe sepse e kam të pamundur që të dal pa ju përgjigjur interesimit tuaj kur më zini pritë këtu.

A do të ketë lëvizje të tjera nga LSI në kabinet apo ministra të tjerë?

Besoj se jua dhashë një përgjigje. Ju falënderoj për vëmendjen.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: